Ambasada gjermane në Tiranë ka reaguar pas protestës së fundit të opozitës në kryeqytet, duke dënuar ashpër aktet e dhunës të regjistruara gjatë tubimit.
Në një reagim të drejtpërdrejtë, Sali Berisha është vënë në qendër të kritikave, ndërsa autoritetet gjermane kanë theksuar se, pavarësisht të drejtës për të protestuar, dhuna nuk mund të justifikohet në asnjë rrethanë.
Protesta e mbajtur në Tiranë u shoqërua me tensione të forta, ku u hodhën mjete ndezëse dhe policia ndërhyri me gaz lotsjellës dhe mjete për shpërndarjen e turmës. Ndryshe nga herët e tjera, këtë herë në protestë u panë flamuj të Gjermani, një simbolikë që u interpretua si reflektim i kontakteve të fundit të opozitës në Berlin.
Megjithatë, sinjalet nga Berlini zyrtar tregojnë një qëndrim të qartë kundër çdo forme dhune, pavarësisht komunikimeve apo takimeve politike të zhvilluara së fundmi.
Reagimi i plotë zyrtar:
“Ambasada Gjermane dënon dhunën e papranueshme në kuadër të demonstratave të djeshme. Protestat politike dhe e drejta për të demonstruar janë të drejta themelore në çdo shoqëri demokratike. Por ato nuk mund të përligjin asnjëherë dhunën ndaj personave apo objekteve. Ne kërkojmë prej përfaqësuesve të partive politike përgjegjëse të distancohen në mënyrë të paekuivoke nga dhuna”.
Ky qëndrim përkon edhe me mesazhet e mëhershme të Partia Popullore Evropiane, e cila ka kërkuar nga opozita shqiptare të shmangë përshkallëzimin e situatave të dhunshme gjatë protestave.






