SKANDALI I NGROHJES NË VORË: KUR DIMRI KALON DHE KONTRATA LIDHET PËR VERËN
Në qytetin e vogël të Vorës, fëmijët e kopshteve dhe shkollave kanë kaluar një dimër të ftohtë, duke pritur që bashkia të sigurojë sistemet e ngrohjes. Por, ndërsa prindërit dhe mësuesit kërkonin zgjidhje emergjente për të mbrojtur të vegjlit nga temperaturat e ulëta, kryetari i Bashkisë, Blerim Shera, e kishte mendjen tjetërkund. Për çudi, tenderi për sistemin e ngrohjes jo vetëm që u vonua, por u konceptua në mënyrë të tillë për tu ngrohur me zjarr… në verë!
Një vëzhgim i ‘PUBLIK.al’ tregon sesi një tender i shpallur në dhjetor 2024 për furnizimin, vendosjen dhe mirëmbajtjen e sistemeve të ngrohjes dhe ftohjes është kthyer në një manovër burokratike, ku procedurat janë ndjekur me ngut dhe fituesi duket se ka qenë i paracaktuar. Më 27 dhjetor, në prag të ndërrimit të viteve, Bashkia e Vorës shpalli fituesin për një kontratë që do të nënshkruhej vetëm në shkurt 2025, me një afat 6-mujor, duke e zhvendosur zbatimin e projektit pikërisht në muajt e nxehtë të vitit.
Ndërkohë, ‘PUBLIK.al’ ka zbuluar se pas kësaj skeme tenderuese fshihet një procedurë e dyshimtë ku, megjithëse u paraqitën pesë operatorë ekonomikë, konkurrenca ishte fiktive. Një nga kompanitë dha ofertë zero lek, ndërsa komisioni i prokurimit skualifikoi të gjithë operatorët përveç njërit—firmës së Rezart Stërmasit, që rezulton të jetë e lidhur me interesa të ngushta me drejtues të bashkisë.
Si është e mundur që një investim jetik për fëmijët vonohet deri pas përfundimit të dimrit? Cili është interesi i kryetarit Shera në këtë tender të vonuar dhe a ka shkelje ligjore në procedurën e ndjekur?
Tenderi i korruptuar
“Skualifikim i të gjithë operatorëve konkurrues përveç fituesit/ Skualifikim i ofertës me vlerë më të ulët”, ky është përshkrimi që i bëhet tenderit të Sherës nga Open Data Albania. Prokurimi është shënuar me “Flamurin e kuq”, që është shenja e riskut të korrupsionit.

Si fitoi oferta më e shtrenjtë?
Shera nuk pyet se ka oferta më të ulëta, por është treguar i vendosur t’ia japë paratë kompanisë së favorizuar.

Siç shihet në dokumentin më sipër, kompania “Aida konstruksion” ka pasur ofertë më të ulët, por është skualifikuar. Kësaj firme nuk i janë pranuar nga komisioni kontratat e paraqitura sipas kërkesës për “punë të ngjashme”. Ndërkohë, nga ana tjetër, me një kontroll të bërë në QKB, mësojmë se COMFORT për momentin nuk ka asnjë lloj licence aktive.

Por, nga dokumentet standarde të tenderit, shohim se kompanitë duhet të jenë pajisur me një licencë të tipit “NS – 12 -A- për Impiante teknologjik, termike dhe te kondicionimi” e vlefshme për kryerjen e punimeve sipas kontratës.

Nga ajo që duket në pamje të parë, me dokumentet që kemi në dorë, ky tender shkel barazinë e pjesëmarrësve.
Kujtojmë se në shkurt 2024, hetuesit e BKH kanë tërhequr dokumentet e 11 tenderave me vlerë 14 milionë Euro, pas denoncimeve për korrupsion me fondet e bashkisë Vorë.
Ndër dosjet e sekuestruara, është e edhe ajo e tenderit të pastrimit të mbetjeve me vlerë 2.7 milionë Euro; të cilit me një urdhër ekzekutiv për gjoja “emergjencë mjedisore” e pa vendim të Këshillit Bashkiak, krye bashkiaku Blerim Shera i shtoi 225 mijë Euro për 90 ditë pastrim.
Është sekuestruar për hetim, dosja e ri-ndërtimit të Shkollës 9-vjecare në fshatin Picar, me vlerë kontrate 1.4 milionë Euro, që duhej të ishte dorëzuar më 10 shkurt 2023, por punimet janë ndalur për gjoja mbarim fondesh, ndërsa krye bashkiaku Blerim Sherra ka bërë preventiv shtesë 500 mijë Euro, me mashtrimin sikur kanë dalë punime të pa parashikuara
Është sekuestruar dosja e tenderit për sistemim-asfaltimin e rrugëve në fshatin “Marqinet 2”, me vlerë 530 mijë Euro, të cilat sipas auditit, janë përllogaritur sa dyfishi i kostos reale të projektit, ndërsa punimet janë marrë në dorëzim pa përfunduar projekti.






