“Jep dorëheqjen, ose Rama më heq mua”

“Nëse nuk jep dorëheqjen sot, nesër kryeministri do të më shkarkoj mua nga detyra”. Me këtë shprehje, kryebashkiaku socialist i Vorës, Blerim Shera, iu drejtua vartëses së tij, Esti Memoçi, drejtuese e Njësisë Administrative Prezë, në 14 korrik 2025.
Ishte kulmi i fushatës populiste së kryeministrit Edi Rama, i cili, pasi mori mandatin e katërt në mënyrë të dyshimtë, urdhëroi një shkundje të plotë në pushtetin lokal.

Rama kërkoi nga të gjithë kryebashkiakët e tij që të nisnin procesin e “detyrimit” të vartësve të tyre që të jepnin dorëheqjen, nën justifikimin e zhdërvjelltësimit të administratës publike në shërbim të qytetarëve
“Porosia” e Liderit të Partisë u zbatua në mënyrë të përulur nga të gjithë kryebashkiakët socialistë. Gjatë korrikut të vitit të kaluar, shumë nga bashkitë e raportonin si “arritje” faktin që drejtorët apo administratorët lokalë dhanë dorëheqjen, në zbatim të direktivës së kryeministrit.
Megjithatë, ky proces nuk shkoi edhe aq fjollë. Shumë zyrtarë lokalë nuk pranuan të jepnin vullnetarisht dorëheqjen, por u detyruan të ndërmerrnin një akt të tillë, nën presionin e kryebashkiakëve se, nëse nuk dorëzoheshin vetë, do të shkarkoheshin menjëherë.
Një rast i tillë ka ndodhur në Bashkinë e Vorës, sipas një vendimi gjyqësor të lexuar nga “Boldnews.al”. Në atë proces gjyqësor, zonja Memoçi kërkoi pagesën me 14 paga mujore, pasi argumentoi se ajo është detyruar të japë dorëheqjen nën presionin e kryetarit të Bashkisë, Blerim Shera, pas kërkesës së lëshuar publikisht nga kryeministri Rama.
Gjykata Administrative e Shkallës së Parë, Tiranë, megjithatë, ka rrëzuar pretendimet e paditëses, ndërkohë që mbrojtësi i saj ligjor, Kastriot Frashëri, thotë se “do të ankimojë vendimin”.
“Përplasja” Shera-Memoçi
Në maj të vitit 2022, kryebashkiaku i Vorës, Blerim Shera emëron Esti Memoçin si administratore të Njësisë Administrative Prezë.
Tre vjet më pas, e pikërisht në 14 Korrik 2025, Shera thërret në zyrë vartësen e tij, ku i kërkon dorëheqjen. Zonja Memoçi tha para Gjykatës Administrative të Tiranës, se kjo kërkesë ishte në formë presioni.

Megjithatë, ajo ka dhënë dorëheqjen në të njëjtën ditë, ndërkohë që kërkesa e saj “e vullnetshme” për largimin nga detyra është pranuar nga kryebashkiaku Shera një ditë më pas, në 15 korrik 2025.
Paditësja u shpreh në seancë gjyqësore se “shkresa e heqjes dorë nga pozicioni i punës së administrators së njësisë është bërë jo me vullnetin të lirë, por e nxitur dhe nën presionin e Kryetarit të Bashkisë”.
“Dorëhiqu, se Kryeministri pret këto lajme”
Më datë 14 Korrik 2025, Kryetari i Bashkisë së Vorës, Blerim Shera, ka nisur ditën e punës me zbatimin e kërkesës së kryeministrit Edi Rama, për të detyruar largimin “me dorëheqje” të vartësve të tij kryesorë.
Në listën e kandidatëve që duheshin dorëhequr, ishin, ndër të tjera, edhe administratorët e dy njësive përbërëse të Bashkisë së Vorës, Bërxulla dhe Preza.
Biseda mes kryebashkiakut Shera dhe administrators së Prezës, Memoçi, nuk ka qenë aspak e qetë.
Kërkesa e kryetarit të Bashkisë drejtuar vartëses për “dorëheqje të vullnetshme”, duket se nuk është pranuar nga kjo e fundit.
Në këto kushte, Blerim Shera është treguar më i sinqertë sesa duhet: “Nëse nuk do të japësh dorëheqjen sot nga detyra, nesër unë do të shkarkoj nga detyra. Nëse nuk do të shkarkoj sot ty nga detyra, nesër do të shkarkohem unë nga Kryeministri, sepse ai këto lajme priste pikërisht”.






