Landi Çela
Afera e Inceneratorit të Tiranës – Një premtim i djegur në pirgun e mbetjeve

Në vitin 2017, qeveria dhe kompania koncesionare “Integrated Energy BV SPV” premtonin një mrekulli teknologjike: incenerator modern, ndotje thuajse zero dhe trajtim të mbi 850 ton mbetjesh në ditë. Për më tepër, ky incenerator do të prodhonte 15.4 megavat orë energji, duke i dhënë Tiranës një shembull suksesi në menaxhimin e mbetjeve.

Jemi në vitin 2025, por ajo që duhet të ishte një zgjidhje moderne, nuk ekziston. Inceneratori i premtuar është një fantazmë në letër, ndërsa realiteti në Landfillin e Sharrës është alarmant: mbetje të groposura mbi njëra-tjetrën, ndotje, përplasje institucionale dhe miliona euro të hedhura dëm.

Një incenerator që nuk u ndërtua kurrë

Sipas kontratës, inceneratori duhet të kishte katër linja djegieje, ku e para duhej të ishte përfunduar në fillim të vitit 2021, ndërsa e fundit në vjeshtën e 2025-ës. Por asnjë linjë nuk u ndërtua, asnjë tullë nuk u vendos, dhe shteti vijoi të paguante miliona euro një kompanie që nuk realizoi asnjë premtim.

Pas hetimeve nga SPAK, në gusht 2023, kompania “Integrated Energy BV SPV” kaloi nën administrimin e Agjencisë së Pronave të Sekuestruara. Por sekuestrimi nuk ndryshoi kontratën—shteti vijon të menaxhojë landfillin, ndërsa plehrat grumbullohen pa zgjidhje afatgjatë.

Landfilli në kolaps, shteti në kaos

Burime nga brenda impiantit konfirmojnë për ‘Publik Media’  se sasia e mbetjeve nga Tirana, Vorë dhe Kavaja ka arritur në 700 ton në ditë.

Por kapacitetet janë ezauruar, dhe mungesa e hapësirës ka detyruar kompaninë të rihapë gropa të vjetra dhe të groposë mbetje mbi mbetje. Kjo është një katastrofë ekologjike, pasi mbetjet organike në dekompozim lëshojnë gazra të rrezikshëm dhe ndotje toksike në ujërat nëntokësore.

Në mes të kësaj krize, kompania ka kërkuar zgjerimin e territorit, por është përballur me një luftë institucionale mes Bashkisë së Tiranës dhe Agjencisë së Zhvillimit të Territorit (AZHT). Bashkia ka miratuar lejen, por AZHT, e cila varet nga qeveria qendrore, nuk e ka zbardhur, duke e lënë çështjen pezull.

Krim financiar dhe mjedisor

Sipas listpagesave nga Thesari, qeveria ka vijuar pagesat për inceneratorin edhe pse kompania ka shkelur të gjitha afatet. Nga viti 2019 deri në 2023, janë paguar mbi 4 miliardë lekë për një projekt që nuk u realizua kurrë.

Ndërkohë, mbetjet nuk groposen më, por grumbullohen në pirgje dhe digjen në qiell të hapur, duke krijuar një krim ekologjik masiv. Ekspertët mjedisorë raportojnë se shpendët shtegtarë kanë ndryshuar rrugët e tyre migratore, duke u ndalur në landfill për shkak të ushqimit të bollshëm mes mbeturinave.

“Eco Tirana”: Një tjetër biznes i dyshimtë?

Në shtator 2024, pastrimi i Tiranës iu besua kompanisë publike “Eco Tirana”, me 51% të aksioneve në pronësi të Bashkisë dhe 49% të një kompanie italiane me pronësi të dyshimtë. Kjo kompani, ndonëse kishte fituar tenderin në mars 2024, e nisi punën me vonesë dhe krijoi kaos me grumbullimin e mbetjeve.

Sipas kontratës, “Eco Tirana” duhet të pastrojë 1.9 milionë metra katrorë rrugë në ditë dhe të lajë 285 mijë metra katrorë sipërfaqe. Por vëzhgimet në terren tregojnë se mbetjet tejmbushin kazanët, dhe zona të tëra mbeten pa pastrim për ditë të tëra.

Një aferë që nuk mbaron kurrë

Inceneratori i Tiranës është bërë simboli i korrupsionit qeveritar: miliona euro të paguara për një projekt inekzistent, një landfill në prag të katastrofës ekologjike dhe një skemë për të përfituar fonde publike pa asnjë përgjegjësi.

Në mes të këtij kaosi, qytetarët e Tiranës janë viktimat e vërteta: ata paguajnë taksat për pastrim dhe menaxhim mbetjesh, por përfundojnë duke jetuar mes plehrave, tymit toksik dhe një shteti që i mashtron në sy të gjithë botës.