Rama kërkon hapje dere në administratën Trump mes skepticizmit europia

Më 19 shkurt, në Uashington pritet të mblidhet për herë të parë i ashtuquajturi “Bord i Paqes për Gazën”, një strukturë e promovuar nga Donald Trump, që që në lindje ka prodhuar më shumë pikëpyetje sesa konsensus.

Në këtë forum është paralajmëruar edhe pjesëmarrja e kryeministrit shqiptar Edi Rama, i cili mungoi në Davos, aty ku u firmos nisma për krijimin e Bordit si platformë e re ndërmjetësimi për konfliktin në Gaza. Megjithatë, takimi në Uashington shihet si një mundësi për Ramën për të rikuperuar terren diplomatik me administratën amerikane.

Burime diplomatike vlerësojnë se prej më shumë se një viti, Tirana zyrtare ka pasur një raport të ftohtë me Shtëpinë e Bardhë, pa vizita zyrtare dhe pa takime të nivelit të lartë me administratën e re amerikane. Në këtë kontekst, pjesëmarrja në Bordin e Paqes interpretohet si një përpjekje për të krijuar një kanal komunikimi politik me ekipin e Trump.

Por vetë nisma ka lindur mes polemikash. Në Davos, ku u hodhën bazat e Bordit, disa prej shteteve kyçe të Bashkimit Evropian refuzuan të bëhen pjesë e tij. Italia, Franca dhe Greqia, mes të tjerash, zgjodhën të qëndrojnë jashtë një iniciative që funksionon jashtë kornizave tradicionale multilaterale dhe pa një rol të qartë të Kombeve të Bashkuara.

Mungesa e aktorëve të rëndësishëm europianë ka ndikuar drejtpërdrejt në perceptimin e Bordit si një forum me legjitimitet të kufizuar dhe me peshë të diskutueshme në arkitekturën ndërkombëtare të diplomacisë. Veçanërisht Parisi dhe Roma, me rol aktiv në Lindjen e Mesme, kanë shmangur rreshtimin në një nismë të lidhur drejtpërdrejt me axhendën politike të presidentit Trump.

Në axhendën e takimit të 19 shkurtit priten diskutime mbi zhvillimet në Gaza, si dhe propozime për angazhime politike dhe bashkëpunim rajonal. Megjithatë, mbetet e paqartë nëse Bordi do të ketë ndikim konkret në terren, apo do të shërbejë më shumë si një platformë politike ku liderë të ndryshëm synojnë të forcojnë profilin e tyre ndërkombëtar.

Për Ramën, pjesëmarrja në Uashington vjen në një moment të ndjeshëm në politikën e brendshme, me presion të shtuar nga hetimet e SPAK dhe debatet për funksionimin e institucioneve. Në këtë sfond, çdo dalje në një forum ndërkombëtar pritet të shoqërohet me përpjekje për ta paraqitur si sukses diplomatik në sytë e publikut vendas.

Pyetja që mbetet është nëse “Bordi i Paqes për Gazën” do të prodhojë realisht diplomaci, apo thjesht do të shërbejë si një skenë politike për kalkulime strategjike.