Bien poshtë pretendimet e qeverisë
Qeveria shqiptare ka deklaruar se fondet e programit IPARD për bujqësinë mund të rikthehen brenda pak muajsh. Por Komisioni Evropian ka sqaruar se procedura me autoritetet shqiptare është ende në zhvillim dhe se nuk ekziston një afat për rifillimin e programit.
Më 9 mars, ministri i Bujqësisë Andis Salla zhvilloi një vizitë zyrtare në Bruksel, ku u takua me drejtues të institucioneve evropiane për të diskutuar mbi fondet për bujqësinë shqiptare. Në një reagim në rrjetet sociale, Salla njoftoi takimin me Drejtoreshën e Përgjithshme të Drejtorisë së Bujqësisë në Komisionin Evropian, Elisabet Werner, duke e cilësuar atë një “takim të frytshëm”.
Sipas ministrit, gjatë bisedimeve u diskutua për progresin e Shqipërisë në përthithjen e fondeve europiane për bujqësinë dhe zhvillimin rural, si dhe për hapat e mëtejshëm për zbatimin e programit IPARD III.
Megjithatë, disa media e interpretuan takimin si një sinjal për rifillimin e afërt të fondeve. Një televizion kombëtar raportoi duke iu referuar burimeve nga Ministria e Bujqësisë se programi IPARD III po hynte në një fazë të re dhe se fondet për bujqësinë shqiptare mund të rifillonin pas një pezullimi trevjeçar.
Deklarata të ngjashme janë bërë edhe më herët nga zyrtarë të qeverisë. Në fund të vitit të kaluar, ministri i Financave Petrit Malaj foli për një rikthim të afërt të programit, ndërsa ministri Salla ka përmendur disa herë afate konkrete për rifillimin e tij.
Por një përgjigje zyrtare e Komisionit Evropian për Faktoje.al hedh poshtë këto pretendime. Brukseli thekson se procedura është ende në zhvillim dhe se nuk mund të jepet një afat për rifillimin e programit.
Sipas Komisionit, pas gjetjeve të OLAF për zbatimin e programit IPARD në Shqipëri, janë marrë masa parandaluese për të mbrojtur interesat financiare të Bashkimit Evropian. Aktualisht po zhvillohet një procedurë dypalëshe mes Brukselit dhe autoriteteve shqiptare për të garantuar vendosjen e masave korrigjuese.
Komisioni sqaron gjithashtu se çdo fond që mund të rezultojë i shpenzuar në mënyrë të padrejtë do të duhet të rikthehet në buxhetin e Bashkimit Evropian.
Në këtë kuadër, qeveria shqiptare ka kontraktuar një kompani të jashtme për të kryer një auditim forenzik mbi grantet dhe pagesat e programit IPARD II, si dhe mbi sistemin e ri të menaxhimit dhe kontrollit.
Një tjetër element kyç është se përpara nisjes së programit IPARD III, autoritetet shqiptare duhet të paraqesin një kërkesë zyrtare për delegimin e kompetencave për menaxhimin e fondeve. Sipas Komisionit Evropian, një kërkesë e tillë nuk është dorëzuar ende nga Shqipëria.
“Duke qenë se procedura dypalëshe mes Komisionit Evropian dhe autoriteteve shqiptare është ende në zhvillim, për momentin nuk mund të jepen informacione të tjera”, thuhet në përgjigjen e Brukselit për Faktoje.
Ndërkohë, çështja e fondeve IPARD mbetet edhe objekt hetimi. Aktualisht 76 përfitues të fondeve IPARD janë në procese gjyqësore për kthimin e granteve të përfituara, ndërsa hetimet vijojnë nga SPAK.
Programi IPARD është një skemë mbështetjeje për sektorin bujqësor në vendet që synojnë anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Përmes programit IPARD II (2014–2020), Shqipëria përfitoi mbi 71 milionë euro fonde. Ndërkohë, programi IPARD III parashikon rreth 146 milionë euro grante për bujqësinë shqiptare, por zbatimi i tij u pezullua nga Komisioni Evropian për shkak të dyshimeve për korrupsion.






