ABUZIM ME FONDIN “TRAJNIM STAFI” NË SHOQËRITË SHTETËRORE
Fondet për “Trajnim Stafi”, që duhet të shërbenin për zhvillimin e kapaciteteve profesionale të punonjësve të ndërmarrjeve shtetërore, janë kthyer në një mekanizëm të pastër shpërdorimi nga drejtuesit. Ky buxhet, që fillimisht ishte modest, po rritet çdo vit duke kaluar në shifra alarmante dhe përdoret jo për qëllimin e tij, por për të shpërblyer miqtë dhe të afërmit e drejtorëve. Prokurimet e këtyre trajnimeve kryhen pa respektuar asnjë kriter ligjor, duke anashkaluar transparencën dhe konkurrencën.
Kjo situatë tregon qartë se këto shpenzime janë krejtësisht të panevojshme. Përse duhet të paguhen me paratë e qytetarëve trajnimet e stafit të ujësjellësit, kur punonjësit duhet të vijnë në pozicione pune të kualifikuar me certifikata dhe diploma përkatëse? Këto fonde po përdoren për të fuqizuar rrjetet klienteliste, duke zëvendësuar konkurrencën e ndershme me militantizëm dhe lidhje politike.
Vetëm muajin e kaluar, ndërmarrja UKT shpenzoi plot 75 milionë lekë për trajnime, një shumë që është dyfishuar nga një vit më parë kur prokurimet për trajnime ishin 40 milionë lekë. Ky është një tregues i qartë i shpërdorimit sistematik të fondeve publike. Paratë e taksapaguesve duhet të përdoren për përmirësimin e shërbimeve dhe infrastrukturës, jo për “kafe dhe dreka” të favorizuara nga drejtues të papërgjegjshëm.
Tenderi me “Flamur të kuq”
Më konkretisht, administratori i SH.A Ujësjellës Kanalizime Tiranë, Kostandin Budurushi ka urdhëruar tenderin me objekt “Trajnime Stafi për Ukt sh.a.”, ku burimi i financimit janë të ardhurat e UKT sh.a. Budurushi duket se ka eksperiencë që nga partia e ish-presidentit Bamir Topi, Fryma e Re Demokratike.

Budurushi e ka vendosur fondin limit 6 500 000,00 lekë dhe tenderin e ka shpallur natën e Vitit të Ri, më 31 dhjetor 2024. Nëse shtojmë TVSH, vlera e kontratës shkon në afro 75 milionë lekë. Në fakt, Agjencia e Prokurimit Publik e njoftoi tenderin më 30 dhjetor 2024, por tenderi ka filluar të nesërmen, sepse UKT ka ndryshuar të dhënat e trajnimeve sipas kërkesës së një operatori ekonomik.

Data e fundit për dorëzimin e dokumenteve ishte më 10 janar 2025 dhe brenda asaj dite është mbajtur tenderi. Procedura është zhvilluar me vetëm një pjesëmarrës, ndërkohë që oferta ka qenë shumë e lartë, gati 98% e fondit limit. Megjithatë Budurushi nuk e ka anuluar tenderin, por ka vijuar me shpalljen e fituesit më 20 janar 2025. Nxitimi për ta bërë këtë, duke shkelur edhe afatet ligjore, tregon që në krye se tenderi ka qenë me fitues të paracaktuar.
Kështu, më 3 shkurt 2025, Budurushi i ka lidhur kontratë kompanisë “FILARA” shpk me pronar Florjan Xhemalajn. Open Data Albania e ka vlerësuar tenderin me “Flamurin e kuq”, që është shenja e riskut të korrupsionit.

Brenda vitit trefishohet fondi për kompaninë “FILARA”
Kjo kompani ka trajnuar punonjësit e UKT edhe vitin e kaluar, pra është kliente e vjetër e drejtorëve të Erion Veliajt. Në tenderin e zhvilluar më 18 dhjetor 2023, FILARA ka marrë fondin 2 440 033,00 lekë pa TVSH dhe e ka kryer trajnimin (sipas letrave) në janar 2024. Gjatë këtij trajnimi që është me të njëjtat tema si ky i kontraktuar këto ditë, kanë marrë pjesë 41 persona.

Në tenderin e fundit numri i punonjësve që do të trajnohen është dyfishuar. Sipas dokumenteve të tenderit, numri i punonjësve që do të trajnohen është 83 veta. Ndërsa fondi i vënë në dispozicion është trefishuar!
Por çudia më e madhe është se për çfarë trajnohen. Temat e zgjedhura janë përgjithësisht ato të administratës publike, pa pikë lidhje me punën e Ujësjellës Kanalizimeve.

Sipas këtij dokumenti, 22 veta do të trajnohen për administrim komunikim, 7 veta për administrim/ drejtim, 2 veta për legjislacion, 6 veta për fiskalizim, 6 veta për menaxhim risku, 8 veta trajnim mbi aktet admnistrative, 3 veta për menaxhimin e aseteve, 12 veta për prokurimin publik. Të gjitha këto janë tema mund të trajtohen brenda shoqërisë nga Departamenti Juridik dhe i Prokurimeve, si dhe dega e Financës.
Ky është thjesht një shpërdorim parash. Po nuk mbaron këtu trajnimi. Për të justifikuar gjithë këto lekë futen edhe shpenzime të tjera. Kështu “salla”, sipas kërkesave të tenderit, duhet të ketë 20 veta. UKT ka një seli më të madhe se sa Presidenca e Republikës dhe disponon salla të vërteta, jo klasa me 20 veta. Më tej futen edhe disa sende të tjera për ta zbukuruar trajnimin, si dosje, stilolapsa, bllok shënimesh, axhenda personale, material referues i printuar, Badge me rrip. Dhe qershia mbi tortë vjen me “Coffe breaks” për 18 ditë dhe drekë çdo ditë për 83 persona. Në fund do të jepet “Certifikata” për çdo punonjës.
Situata në UKT ka marrë një kthesë të re pas publikimit të emrit të ish-drejtorit të përgjithshëm, Elton Kacidhja, në komunikimet e WhatsApp-it të kompanisë “5D”, drejtuesit e së cilës janë nën hetim nga SPAK. Për të shmangur përfshirjen publike të Bashkisë në këtë skandal, më 25 tetor 2024, Veliaj bëri një rokadë të drejtuesve. Në krye të UKT u vendos Elda Muçi, e cila, pa kaluar as një muaj, u zëvendësua nga një tjetër emër i besuar i kryetarit, Kostandin Budurushi.
Kujtojmë se kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, është arrestuar para disa ditëve nga SPAK nën akuzën për korrupsion dhe fshehje të pasurisë.






