Shqipëria humbet bazën e ekonomisë prodhuese
Tiranë, Publik.al – Të dhënat më të fundit të INSTAT për ecurinë e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) në tremujorin e dytë të vitit 2025 zbulojnë një tablo të zymtë për dy shtyllat tradicionale të ekonomisë shqiptare: bujqësinë dhe industrinë.
Bujqësia në rënie të pandërprerë pas pandemisë
Sektori bujqësor, i cili përfshin edhe pyjet dhe peshkimin, ka shënuar një rënie me -2.5% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ky është vetëm vazhdimi i një trendi negativ që ka nisur pas vitit 2020.
- Në vitin 2019 bujqësia kishte shënuar norma pozitive rritjeje deri në +4.3%, por prej vitit 2020 nisi tkurrja e pandërprerë.
- Në vitin 2022 rënia arriti në -4.8%, ndërsa në 2023 dhe 2024 sektorit iu shtuan humbjet me -1.3% dhe -2%.
Shkaqet kryesore janë financimet minimale për bujqësinë, ndër më të ulëtat në rajon, si dhe tkurrja dramatike e popullsisë rurale, e cila sipas censit ka rënë me rreth 20%. Një tjetër goditje ka qenë edhe pezullimi i fondeve IPARD nga BE, pas konstatimit të praktikave korruptive në ndarjen e subvencioneve në Shqipëri.
Megjithëse në krizë, bujqësia mbetet ende punëdhënësi më i madh në vend dhe një nga kontribuuesit kryesorë të eksporteve.
Industria, në vitin e tretë të recesionit
Sektori industrial ka regjistruar një rënie me -1.8% në prill-qershor 2025, duke e thelluar krizën që ka nisur që prej vitit 2023.
- Industria përpunuese ka arritur të ndalë përkohësisht përkeqësimin, duke qëndruar në vendnumëro, pas një rënieje të fortë prej -5.5% në tremujorin e parë.
- Industria e rëndë, përkundrazi, ka pësuar tkurrjen më të thellë, e nxitur nga çmimet e ulëta në tregjet ndërkombëtare dhe ulja e volumit të prodhimit.
Nga kulmet e rritjes me 20–30% pas pandemisë, industria shqiptare ka hyrë në një cikël negativ, me të katër tremujorët e vitit 2024 që shënuan rënie deri në -8%. Shumë kompani kanë humbur konkurrueshmërinë për shkak të rritjes së kostove të brendshme (pagat, kursi i këmbimit) dhe rënies së kërkesës nga jashtë, duke sjellë falimentime të njëpasnjëshme.
Një ekonomi mbi baza të paqëndrueshme
Në vitin 2024, bujqësia dhe industria mbanin mbi 47% të punësimit total në vend dhe dominonin shportën e eksporteve. Rënia e tyre paralajmëron një krizë të thelluar sociale dhe ekonomike.
Ndërkohë që turizmi dhe ndërtimi kanë qenë motorët kryesorë të rritjes ekonomike vitet e fundit, ekspertët paralajmërojnë se këto janë sektorë të brishtë dhe të paqëndrueshëm.






