Shfaqja e rasteve të fundit me hantavirus në bordin e anijes turistike MV Hondius ka rikthyer vëmendjen ndërkombëtare ndaj këtij infeksioni të rrallë, i lidhur në këtë rast me variantin e njohur si virusi i Andeve. Ky është i vetmi lloj hantavirusi që, në rrethana shumë të veçanta, mund të transmetohet nga njeriu te njeriu.

Megjithatë, specialistët e shëndetit publik theksojnë se situata nuk përbën kërcënim për një përhapje të gjerë. Gikas Majorkinis, profesor i Higjienës dhe Epidemiologjisë në Universitetin Kombëtar të Athinës, sqaron se transmetimi mes njerëzve është jashtëzakonisht i rrallë dhe kërkon kontakt shumë të afërt e të zgjatur.

Sipas tij, nuk ka asnjë tregues që ky virus po pëson ndryshime që do ta bënin më të transmetueshëm. Edhe institucionet ndërkombëtare si European Centre for Disease Prevention and Control dhe World Health Organization vlerësojnë se rreziku për popullatën mbetet i ulët.

Hantaviruset njihen prej kohësh dhe zakonisht transmetohen nga brejtësit tek njerëzit. Në Amerikën e Jugut qarkullojnë variantet e ashtuquajtura “të Botës së Re”, përfshirë virusin e Andeve, të cilat mund të shkaktojnë forma më të rënda të sëmundjes dhe kanë shkallë më të lartë vdekshmërie. Në Evropë, përkundrazi, këto infeksione janë më të lehta dhe nuk është dokumentuar përhapje nga njeriu te njeriu.

Periudha e inkubacionit varion nga një deri në tetë javë. Shenjat fillestare përfshijnë temperaturë, lodhje të theksuar dhe dhimbje muskulore. Në forma më të rënda, infeksioni mund të prekë veshkat ose sistemin kardiopulmonar, veçanërisht në variantet që qarkullojnë në kontinentin amerikan.

Ekspertët paralajmërojnë se shkalla e vdekshmërisë për disa variante në Amerikën Latine mund të arrijë deri në 30%, ndërsa në Evropë mbetet shumë më e ulët. Aktualisht nuk ka vaksinë apo trajtim specifik për hantavirusin, ndaj trajtimi fokusohet në menaxhimin e simptomave.

Infektimi ndodh kryesisht përmes kontaktit me urinën, jashtëqitjet apo sekrecionet e brejtësve të infektuar, si edhe përmes thithjes së grimcave të kontaminuara në ajër, sidomos në ambiente të mbyllura.

Autoritetet shëndetësore theksojnë se nuk ka arsye për panik, por rekomandojnë kujdes bazë: higjienë të mirë dhe shmangie të kontaktit me brejtës apo ambiente të ndotura.