Blenë me 2 mijë euro m2 te Parku i Liqenit dhe shitën me 5 mijë euro
Kunati i ish-kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, Erion Isufi, së bashku me bashkëshorten e tij Stela Dhami, dyshohet se vijojnë aktivitetin e tyre në kundërshtim me institucionet ligjzbatuese si SPAK, strukturat kundër krimit ekonomik dhe Drejtoria për Parandalimin e Pastrimit të Parave. Sipas të dhënave, ata dyshohet se kanë ndërtuar dhe operuar skema të pastrimit të parave në zemër të Tiranës, duke përfshirë fonde të dyshuara nga korrupsioni, evazioni fiskal dhe praktika të tjera mashtruese.
Gjatë muajve të fundit, rezulton se Erion Isufi ka realizuar një operacion financiar që përllogaritet në rreth 3 milionë euro të dyshuar për pastrim parash. Ai ka blerë një sipërfaqe prej 2143 m² njësi tregtare në kompleksin “Lion Residence”, pranë Parkut të Liqenit, për një vlerë të deklaruar prej 4.6 milionë eurosh, ndërkohë që çmimi real i tregut për këtë pronë vlerësohet të jetë mes 10 dhe 15 milionë euro. Pas këtij transaksioni, Isufi ka shitur rreth 1000 m² nga kjo sipërfaqe për afro 5 milionë euro.
Ekzistojnë dyshime të forta se vlera reale e blerjes ka qenë mbi 10 milionë euro, por është deklaruar më e ulët për të shmangur detyrimet fiskale, ndërsa diferenca është likuiduar në cash. Më pas, duke e shitur pronën me çmim tregu, dyshohet se është realizuar futja në sistemin bankar e parave të padeklaruara. Kjo është një skemë e njohur dhe e dokumentuar edhe në raportet e institucioneve ligjzbatuese si një nga format klasike të pastrimit të parave.
Përmes këtyre mekanizmave, çifti Isufi–Dhami dyshohet se ka ndërtuar një portofol të gjerë pasurish në zonat më elitare të vendit. Në listën e pronave përfshihen vilë në Palasë, apartamente në kompleksin “Ambasador 2”, sipërfaqe në “Lion Residence”, apartamente në zonën e ish-Bllokut, investime në kulla të reja në ndërtim, si dhe të paktën pesë vila në periferi të Tiranës. Gjithashtu, një pjesë e pasurive rezulton e regjistruar në emër të familjarëve të afërt, përfshirë nënën e Stela Dhamit.
Përveç pasurive të paluajtshme, dyshohet se çifti disponon edhe disa llogari bankare me vlera të konsiderueshme në banka të nivelit të dytë. Këto fonde mendohet të jenë krijuar përmes faturimeve fiktive dhe pagesave cash, veçanërisht gjatë periudhës kur Lulzim Basha drejtonte Bashkinë e Tiranës. Sipas të dhënave, një pjesë e këtyre pagesave dyshohet se kanë ardhur nga biznesmenë që kanë përfituar tendera publikë apo leje ndërtimi.
Pyetja që ngrihet është: përse biznesmenët kanë kryer pagesa ndaj Erion Isufit?
Arsyet e mundshme lidhen me disa skema të dyshuara korruptive. Së pari, disa prej tyre rezultojnë përfitues të kontratave publike dhe pronave shtetërore gjatë kohës kur Basha drejtonte Bashkinë, duke sugjeruar një formë “tarife” për përfitimet e marra. Së dyti, pagesat dyshohet se janë bërë në këmbim të mosreagimit publik apo politik ndaj aferave të tyre, një praktikë e njohur si “taksa e heshtjes”. Së treti, këto marrëdhënie mund të kenë synuar krijimin e lidhjeve klienteliste në rast të ndryshimeve të pushtetit.
Në këtë kontekst përmenden edhe një sërë biznesmenësh dhe kompanish që dyshohet se kanë kryer pagesa ndaj Isufit, përmes kompanisë së tij “Landmark Communications”. Mes tyre përfshihen emra të njohur në sektorë të ndryshëm të ekonomisë, si ndërtimi, energjia, sigurimet, telekomunikacioni dhe tregtia.
Erion Isufi, përmes kompanisë Landmark Communications ka përfitur qindra mijëra euro edhe nga subjekte të tjera si;
Albtelekom
Vip Saloti
Word Vision
Alb Siguracion
Albcrome
Almark
NBG Bank
Birra Korça
Brandfield
Berlini 95 shpk
Bucaj shpk
Centry 21 Albania
Concord Investment
Consulcesi Service shpk
Dajti Ekspres
Novartis
Neptun
MSA Constrution
Mini invest Albania
Real Grupe
Sigma
Dekoll shpk
Teg
Suart shpk
Sava Tours
Stefani & CO
Swisscontact
Tonucci Partners Albania
Vision Fund albania
Veranda shpk
VCAG d.o.o.
Unit Women Albani
RFZ Building
Restret shpk
Rea’s shpk
ICDA
Elka sha
Elle shpk
Edil Al-IT shpk
Eco Market
BSB Fashion
DOOGEE HOLDINGS LIMITED
Era 2000 shpk
Enk Invest Group
Hap center
Go Tech shpk
Focus Media
Luna Marketing
Kid Zone shpk
Luarasi shpk
Mini Invest Albania
Porche Albania etj
Lista përfshin gjithashtu një numër të madh subjektesh dhe individësh, të cilët sipas të dhënave kanë realizuar transaksione financiare drejt kompanive të lidhura me Isufin. Këto pagesa dyshohet se janë kryer në forma të ndryshme, përfshirë kontrata shërbimesh, reklama apo konsulence, që në disa raste mund të kenë shërbyer si mbulesë për qarkullimin e fondeve.
Një rol kyç në këtë skemë dyshohet të luajë kompania “Colliers Albania”, e cila operon në fushën e pasurive të paluajtshme dhe është në pronësi të Stela Dhamit. Kjo kompani konsiderohet si një nga kanalet kryesore për qarkullimin dhe legalizimin e parave përmes investimeve në prona.

“Colliers Albania” u themelua në vitin 2013 dhe operon si një entitet i lidhur me rrjetin ndërkombëtar “Colliers”. Zyrat e saj ndodhen në katin e parë të “Lion Residence”, pikërisht në zonën ku janë realizuar një pjesë e transaksioneve të dyshuara. Sipas të dhënave financiare, kompania ka raportuar fitime relativisht të ulëta krahasuar me vlerën e lartë të investimeve që menaxhon, çka ka ngritur dyshime për aktivitetin real ekonomik.

Gjithashtu, rezulton se Stela Dhami ka pasur më herët rol drejtues në “Colliers International” në Shqipëri, kompani e themeluar në vitin 2008 dhe e lidhur me një rrjet ndërkombëtar. Kjo kompani është çregjistruar në vitin 2021, një periudhë që përkon me ndryshime të rëndësishme në drejtimin politik të opozitës.

Në tërësi, dyshimet përfshijnë një skemë të strukturuar që kombinon pasuritë e paluajtshme, kontratat e shërbimeve dhe rrjetin e marrëdhënieve me biznesin për të qarkulluar dhe integruar fonde të dyshuara në sistemin financiar.







