Kalon nëpër Ngushticën e Hormuzit
Çisterna e naftës Rich Starry, në pronësi kineze dhe me flamur të Malavi, është drejt përfundimit të kalimit nëpër Ngushticën e Hormuzit, pavarësisht bllokadës detare të vendosur nga Shtetet e Bashkuara që hyri në fuqi një ditë më parë.
Sipas të dhënave të gjurmimit detar, anija me gjatësi 188 metra dhe gjerësi 29 metra u nis nga Sharjah në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe aktualisht po hyn në Gjirin e Omanit, duke qenë ndër të parat që kalon këtë korridor jetik pas përshkallëzimit të situatës.
Ndërkohë, zhvillimet diplomatike po marrin vrull. Pakistani ka ofruar të presë një raund të ri negociatash mes SHBA dhe Iranit në Islamabad, në përpjekje për të ulur tensionet në rajon.
Paralelisht, në Uashington pritet të zhvillohet një takim i rrallë mes përfaqësuesve të Libanit dhe Izraelit — një moment i pazakontë diplomatik mes dy vendeve që nuk kanë marrëdhënie zyrtare. Në këto bisedime pritet të marrë pjesë edhe Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio.
Diskutimet vijnë në një kohë kur përpjekjet për një marrëveshje më të gjerë mes SHBA-së dhe Iranit kanë dështuar, ndërsa tensionet në Lindjen e Mesme mbeten të larta.
Një nga temat kryesore të takimit pritet të jetë mundësia e hapjes së një dialogu të drejtpërdrejtë në nivele më të larta mes Libanit dhe Izraelit. Autoritetet në Bejrut synojnë fillimisht arritjen e një armëpushimi në përplasjet mes Izraelit dhe Hezbollah.
Megjithatë, qëndrimet mbeten të kundërta: Izraeli kërkon çarmatimin e plotë të Hezbollahut, ndërsa vetë grupi ka refuzuar çdo negociatë dhe nuk pranon marrëveshje të imponuara.
Ndërkohë, përshkallëzimi i fundit i luftimeve ka pasur pasoja të rënda për Libani, me mbi një milion persona të zhvendosur dhe mijëra viktima, përfshirë civilë dhe personel mjekësor.






