Ervin Mata i kërkuar ndërkombëtarisht, u arrestua të shtunën në Ilhabela në një ambient biznesi
Arrestimi i Ervin Matës në Brazil ka tërhequr vëmendjen jo vetëm të mediave shqiptare, por edhe të atyre ndërkombëtare, duke e kthyer këtë zhvillim në një nga ngjarjet më të komentuara të ditëve të fundit në kronikën e zezë.
Mes mediave që i kanë kushtuar hapësirë këtij operacioni është edhe CNN, e cila raporton se Mata, i konsideruar nga autoritetet si një ndër personat në kërkim ndërkombëtar për veprimtari kriminale, është arrestuar gjatë një aksioni të zhvilluar në Ilhabela, në bregdetin e shtetit të São Paulos.
Sipas raportimeve, operacioni është realizuar nga Policia Federale braziliane në bashkëpunim me Policinë Ushtarake vendase, pas një pune të mirëkoordinuar dhe të bazuar në informacione të inteligjencës. Këto të dhëna kishin sinjalizuar lëvizjet e Matës nga rajoni Baixada Santista drejt zonave të Bregut Verior, çka çoi në lokalizimin e tij.
Ai u identifikua në ambientet e një biznesi dhe më pas u shoqërua në komisariatin e Policisë Federale në São Sebastião, ku u kryen procedurat përkatëse. Gjatë operacionit, autoritetet sekuestruan dy telefona celularë dhe dokumente të ndryshme, të cilat pritet të ndihmojnë në thellimin e mëtejshëm të hetimeve.
Sipas burimeve zyrtare, Mata ishte në arrati që prej shtatorit të vitit 2025, ndërkohë që ndaj tij rëndonin akuza për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale. Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar që në nëntor të vitit 2023.
Nga ana tjetër, hetimet e zhvilluara nga autoritetet shqiptare e lidhin atë me një rast të trafikimit të rreth 240 kilogramëve kokainë drejt Frankfurtit të Gjermanisë në vitin 2020. Përveç kësaj, ai dyshohet se ka përfituar shuma të konsiderueshme financiare nga aktiviteti kriminal, si dhe për përfshirje në organizimin dhe financimin e ngjarjeve të rënda kriminale.
Ndërkohë, procedurat për ekstradimin e tij drejt Shqipërisë vijojnë, ku pritet që Mata të përballet me drejtësinë për akuzat që rëndojnë mbi të.






