Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë shtuar presionin ndaj klasës politike në Kosovë, duke kërkuar ndaljen e përplasjeve që kanë çuar vendin drejt një tjetër procesi zgjedhor brenda një periudhe të shkurtër kohore.
Në një reagim për Radion Evropa e Lirë, një zëdhënës i Departamentit Amerikan të Shtetit theksoi se zhvillimet aktuale po minojnë besimin e qytetarëve tek institucionet. Ai u bëri thirrje të gjitha forcave politike që të bashkëpunojnë në interes të qytetarëve, në një deklaratë që interpretohet si paralajmërim i drejtpërdrejtë për lidershipin në Prishtinë.
Zgjedhjet parlamentare janë caktuar për 7 qershor, pas shpërndarjes automatike të Kuvendit për shkak të dështimit për zgjedhjen e presidentit brenda afatit kushtetues. Ky zhvillim thellon krizën politike që ka mbërthyer vendin prej muajsh.
Përplasjet mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe opozitës kanë qenë të forta. Mazhoranca akuzon kundërshtarët për bojkot të qëllimshëm të institucioneve, ndërsa partitë opozitare fajësojnë qeverinë për mungesë dialogu dhe tendencë për përqendrim të pushtetit. Ky tension ka prodhuar një ngërç institucional të përsëritur.
Legjislatura e fundit, e dalë nga zgjedhjet e 28 dhjetorit, zgjati më pak se tre muaj, duke rritur perceptimin për paqëndrueshmëri kronike. Në fakt, kriza politike në Kosovë ka rrënjë më të hershme, që nga zgjedhjet e shkurtit 2025, kur institucionet hasën vështirësi serioze në funksionim.
Analistët paralajmërojnë se vendi rrezikon të hyjë në një cikël të ngjashëm me atë të Bullgari, ku zgjedhjet e shpeshta nuk kanë prodhuar stabilitet politik. Një skenar i tillë mund të ketë pasoja të drejtpërdrejta në ekonomi dhe në funksionimin e shtetit.
Ndërkohë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nisur përgatitjet për procesin e ri zgjedhor. Afatet për regjistrimin e subjekteve politike dhe kandidatëve janë hapur, ndërsa fushata pritet të zgjasë vetëm 10 ditë, nga 28 maji deri më 7 qershor.
Kostoja e zgjedhjeve pritet të kalojë 10.8 milionë euro, një barrë e konsiderueshme për buxhetin e shtetit në kushtet e një krize të vazhdueshme politike. Në zgjedhjet e fundit, pjesëmarrja ishte rreth 45%, ndërsa mbi 2 milionë qytetarë kishin të drejtë vote.






