Presidenti serb: Për këtë aryse më thonin se jam pro shqiptar

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vučić, ka bërë një deklaratë të ashpër gjatë pjesëmarrjes së tij në podcastin “The Rest Is Politics: Leading”, ku foli hapur për atë që i cilëson si sulme të rënda personale dhe shpifje nga kundërshtarët politikë.

Gjatë intervistës, Vuçiç përshkroi një sërë akuzash dhe narrativash, që sipas tij, përdoren për ta diskredituar publikisht. Ai theksoi se këto sulme nuk ndalen vetëm në kritika politike, por prekin edhe jetën private, origjinën familjare dhe çështje të ndjeshme me ngarkesë etnike.

Sipas tij, kundërshtarët shkojnë deri aty sa të përdorin insinuata ekstreme për identitetin dhe prejardhjen e tij, duke krijuar një klimë të tensionuar dhe polarizuese në diskursin publik.

“A mund ta kuptosh argumentin kur dikush po hedh një mallkim kundër teje? Duke shtuar madje se babai yt në të vërtetë nuk është babai yt, sepse nëna jote ka qenë një bushtër dhe ajo ka tradhtuar babain tënd të supozuar me një shqiptar dhe prandaj ti je kaq pro-shqiptar”, tha Vuçiç.

Këto deklarata pritet të shkaktojnë reagime të shumta, jo vetëm në skenën politike të brendshme në Serbi, por edhe në rajon, duke pasur parasysh ndjeshmërinë e lartë që mbartin temat etnike dhe historike në Ballkan.

Analistët vlerësojnë se retorika e tillë, edhe kur paraqitet si denoncim, rrezikon të rrisë tensionet dhe të ndikojë negativisht në klimën e dialogut politik dhe marrëdhëniet ndërkombëtare.