Berisha: Po pastrohen paratë e drogës
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka bërë thirrje për një hetim ndërkombëtar lidhur me atë që ai e cilëson si një skandal të rëndë që përfshin klubet shqiptare të futbollit.
Në deklaratën e tij, Berisha ngriti akuza të drejtpërdrejta ndaj figurave të lidhura, sipas tij, me drejtimin e disa prej klubeve kryesore në vend, duke përmendur edhe lidhje me familjarë të kryeministrit Edi Rama.
Deklarata e Berishës:
“Klubi Dinamo, pasi i morën 75 mijë metër katrorë tokë, ia plaçkitën, e transferuan në Durrës për Ergys Agasi City. Klubin Dinamo e kishte më parë një Paskuçi, në mos gaboj unë, është një tregtar i vjetër kafeje. Këtij, në mënyrat që i dinë vetë këta, e detyruan të shesë aksionet.
Po kush janë blerësit e aksioneve? Ergys Agasi dhe Soto Jr. Por, de facto është Ergys Agasi dhe pas saj vjen Agasi Manchester City. Pas kësaj vjen Agasi Akademia e Futbollit. Pra, shikoni se si kreu i Meduzës, se si kreu i organizatës kriminale, akaparoi dy klubet e mëdha sportive të vendit. Me Olsin, klubin Partizani që lajnë paratë nga mëngjesi në darkë. Me Gysin, klubin Dinamo.
Këtu janë të gjitha dokumentet e këtyre transaksioneve dhe veprimeve. Në çdo hap shkelje ligjore dhe mafioze për të cilat sigurisht do paraqiten para organeve të drejtësisë, por hetimi ndërkombëtar është i domosdoshëm.
Klubi Dinamo është një pasuri e madhe, dhe klubi Partizani janë në vetvete pasuri kombëtare, shfrytëzohen nga Olsi dhe Agasi.
Rastësi është kjo që familja Rama ka shtënë në dorë të dy klubet? Jo!
Aty lahen paratë e drogës në të dyja. Aty janë kthetrat e mafies mbi bastet sportive dhe bastet e tjera.
Dënoj këtë veprimtari kriminale të familjes Rama dhe tentakulave të saj”, tha Berisha.
Në vijim, ai i bëri thirrje edhe FIFA që të ndërmarrë një hetim urgjent ndërkombëtar për këtë çështje, duke e konsideruar situatën si të rëndë për integritetin e sportit në vend.






