Nuk ka marrëveshje të afërt për detin dhe dërgimin e saj në Hagë
Qeveria greke ka hedhur poshtë publikisht deklaratat e bëra nga Edi Rama lidhur me ecurinë e negociatave për kufirin detar dhe mundësinë e dërgimit të çështjes në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Nga Athina zyrtare vjen një qëndrim i qartë: nuk ka zhvillime konkrete dhe procesi nuk është në fazën që pretendohet.
Burime të nivelit të lartë diplomatik në Greqia bëjnë me dije se tema e delimitimit detar ka qenë pjesë e diskutimeve mes dy vendeve prej kohësh, por ajo u ndërpre pasi drafti për t’iu drejtuar Hagës përfundoi në Gjykatën Kushtetuese të Shqipërisë, e cila e rrëzoi marrëveshjen në thelb.
Sipas diplomacisë greke, çështja konsiderohet tashmë e mbyllur për momentin, për aq kohë sa vendimi i Kushtetueses mbetet në fuqi. Përgjegjësia për të ringjallur procesin i takon plotësisht Shqipërisë, e cila duhet të ndërmarrë hapa ligjorë nëse synon të rikthejë negociatat.
Ndërkohë, Athina nuk e konsideron më këtë çështje si prioritet strategjik. Kjo lidhet edhe me zhvillimet e fundit në politikën e saj të jashtme, përfshirë marrëveshjet e arritura me vende të tjera si Italia, si dhe zgjerimin e ujërave territoriale në Detin Jon.
Në qarqet diplomatike greke theksohet se aktualisht nuk ekziston asnjë dokument konkret apo marrëveshje e re në tryezë mes dy vendeve, pavarësisht deklaratave të bëra në forume ndërkombëtare. Për më tepër, nuk ka sinjale të besueshme që gjatë vitit 2026 të ketë progres real në këtë drejtim.
Në një plan më të gjerë, strategjia e Greqisë po fokusohet në forcimin e pozicionit të saj në arenën ndërkombëtare. Kjo përfshin promovimin e instrumenteve si planifikimi hapësinor detar dhe mbrojtjen e të drejtave sovrane përballë sfidave që vijnë nga Turqia, përfshirë teorinë e njohur si “Mavi Vatan”.
Një tjetër element i rëndësishëm është bashkëpunimi në rritje me kompani të mëdha energjetike si Chevron, si dhe intensifikimi i marrëdhënieve me Libinë. Në këtë kuadër pritet edhe vizita e ministrit të Jashtëm Giorgos Gerapetritis në Tripoli, si pjesë e reagimit ndaj marrëveshjes turko-libiane, të cilën Athina e konsideron të pavlefshme juridikisht.
Në aspektin e sigurisë, Greqia e sheh forcimin e pranisë ushtarake në Deti Egje si një ushtrim të ligjshëm të sovranitetit, duke refuzuar kategorikisht kërkesat e Turqisë për çmilitarizim.
Sa i përket tensioneve për hartat e peshkimit, burimet greke sqarojnë se bëhet fjalë për materiale teknike të publikuara që prej vitit 2018, të cilat janë rikthyer në qendër të debatit pas publikimeve të fundit.
Në fund, lidhur me incidentin e raportuar për një anije holandeze pranë Kretës, Athina thekson se aktiviteti ishte i autorizuar nga autoritetet greke, duke nënvizuar se juridiksioni në këto zona i përket ekskluzivisht Greqisë.






