Një denoncim i mbërritur në redaksinë tonë ngre shqetësime serioze mbi mënyrën se si po administrohen hapësirat publike në zonat turistike të jugut, konkretisht në Ksamil, pranë Parkut Kombëtar të Butrintit
Sipas informacionit të ardhur nga një qytetar, një sipërfaqe toke publike në zonën e njohur si parku i autobusëve në Ksamil rezulton të jetë zaptuar nga persona që, sipas tij, gëzojnë mbështetje apo ndikim në struktura vendimmarrëse. Pretendimi është se ky veprim synon hapjen e rrugës për legalizimin e mëvonshëm të truallit dhe zhvillimin e projekteve ndërtimore shumëkatëshe në një zonë me ndjeshmëri të lartë turistike dhe mjedisore.
Denoncimi vjen në një moment kur debati për ndërtimet pa leje dhe zbatimin selektiv të ligjit është rikthyer në vëmendje, veçanërisht pas rasteve të raportuara në Sarandë. Qytetarët shpesh ngrenë shqetësimin për një standard të dyfishtë: nga njëra anë ndëshkime të shpejta për individët pa ndikim, dhe nga ana tjetër tolerim i mundshëm për ndërhyrje të paligjshme që lidhen me interesa më të mëdha.
Burimi thekson se, ndërkohë që për qytetarët e zakonshëm procedurat për ndërhyrje edhe minimale në banesat e tyre janë të ndërlikuara dhe shpesh të pamundura pa leje, në raste të tilla institucionet duket se mbajnë një qëndrim pasiv.
Deri në këto momente nuk ka një reagim zyrtar nga autoritetet vendore apo strukturat përgjegjëse për mbrojtjen e territorit dhe të pronës publike. Megjithatë, rasti kërkon verifikim të plotë dhe transparencë, për të qartësuar nëse kemi të bëjmë me një shkelje të ligjit apo me një keqkuptim mbi statusin e pronës.
Denoncimi i plotë:
“Përshëndetje. Marr shkas nga publikimi që keni bërë për gjobat që vendos shefi i policisë Sarandë për ndërtimet pa leje dhe po jua vërtetoj.
Tek parku i autobusëve në Ksamil, afër Butrintit, është zaptuar prona publike nga persona me pushtet me qëllim legalizimin dhe ngritjen e ndonjë objekti shumëkatësh.
Shteti bën sikur nuk i shikon, kurse një qytetar i thjeshtë nuk merr dot leje për të ndërhyrë në shtëpinë e vet.”







