Si e kontrollon shpërndarjen e drogës, gjobat deri në 20 mijë euro në muaj

Akuzat e forta drejt tij

Pas publikimit të denoncimeve të para që implikojnë drejtuesin e Policisë Kriminale, Neritan Nallbati, dhe efektivin Bujar Deliallisi në një skemë spiunazhi dhe intimidimi ndaj gazetarëve, një tjetër denoncim i ri ka mbërritur në redaksinë e publik.al, duke thelluar më tej akuzat dhe duke zgjeruar panoramën e pretenduar të një rrjeti të strukturuar brenda Policisë së Shtetit.

Neritan Nallbati

Denoncimi i ri, me akuza për kontroll kriminal në Durrës

Sipas denoncimit të fundit, Bujar Deliallisi akuzohet si një figurë kyçe në kontrollin e aktiviteteve kriminale në qytetin e Durrësit.

Bujar Deliallisi

Denoncuesi thekson se asnjë aktivitet kriminal, nga shpërndarja e narkotikëve, operimi i call center-ave mashtruese, deri te lëvizjet e personave në kërkim, nuk zhvillohet pa miratimin e tij. Ai shton më tej se struktura të ndryshme brenda Policisë së Shtetit detyrohen të paguajnë “haraç” për të operuar normalisht dhe kjo skemë funksionon si një sistem paralel kontrolli mbi territorin dhe aktivitetet kriminale.

Këto pretendime, nëse provohen, përforcojnë akuzat e mëparshme se kemi të bëjmë jo vetëm me shkelje individuale, por me një mekanizëm të organizuar ndikimi dhe kontrolli.

Roli i dyshuar i strukturave të narkotikëve

Në denoncim del  në skenë edhe emri i Euglent Shabës, i cili akuzohet si një figurë kyçe në menaxhimin e trafikut të drogës në qytet.

Sipas pretendimeve në fjalë, ai vepron në bashkëpunim të ngushtë me Bujar Deliallisin dhe shpërndarësit e drogës paguajnë shuma të konsiderueshme mujore, që arrijnë deri në 20,000 euro, për të operuar të papenguar. Ndërsa nga ana tjetër, ndërhyrjet policore fokusohen vetëm ndaj individëve që nuk paguajnë këto shuma, duke krijuar një sistem selektiv goditjeje.

Gjithashtu, sipas të njëjtit burim, shpërndarja e narkotikëve thuhet se zhvillohet hapur në qytet, çka ngre pikëpyetje të forta mbi efektivitetin dhe integritetin e strukturave ligjzbatuese.

Lidhja me denoncimet e mëparshme

Ky denoncim i ri lidhet drejtpërdrejt me akuzat e publikuara më herët, ku Neritan Nallbati akuzohej se:

  • Mbron dhe përdor Bujar Deliallisi si “strukturë operative private”
  • E përdor këtë strukturë për ndjekje, survejim dhe intimidim të gazetarëve kritikë
  • Injoron problematika serioze si mungesa e Certifikatës së Sigurisë dhe të dhënat negative nga shërbimet informative

Denoncimi i fundit e çon një hap më tej këtë narrativë, duke sugjeruar se i njëjti rrjet mund të ketë ndikim edhe në menaxhimin e aktiviteteve kriminale në terren.

Çështje që kërkojnë verifikim urgjent

Të gjitha këto pretendime mbeten akuza të pakonfirmuara zyrtarisht dhe kërkojnë hetim të thelluar nga institucionet përkatëse, përfshirë Prokurorinë, AMP-në, si dhe Strukturat e sigurisë kombëtare.

Në thelb, çështja ngre disa pyetje kritike:

  • A ekziston një strukturë paralele brenda Policisë së Shtetit?
  • A ka pasur mbrojtje institucionale për individë me probleme të verifikuara sigurie?
  • A është përdorur pushteti policor për interesa private dhe kontroll kriminal?

Nëse këto denoncime rezultojnë të bazuara në fakte, atëherë nuk kemi të bëjmë thjesht me korrupsion apo abuzim detyre, por me një deformim të rëndë të funksionimit të shtetit ligjor.

Nga ana tjetër, mungesa e reagimit institucional përballë këtyre akuzave vetëm sa shton dyshimet dhe thellon krizën e besimit publik.

Në këtë pikë, transparenca dhe hetimi i pavarur nuk janë më opsion, por domosdoshmëri.