Banorët ngrenë alarmin: Institucionet “mbyllin sytë”

“Nxjerrja pa kriter e inerteve ka zbuluar këmbët e urës dhe po kërcënon jetën e përditshme”

Një denoncim i fortë nga banorët e fshatit Muhurr, në Dibër, hedh dritë mbi një situatë alarmante që po zhvillohet prej kohësh në lumin Drin, ku sipas tyre, po kryhet një shfrytëzim intensiv dhe i pakontrolluar i inerteve, në kundërshtim flagrant me ligjin.

Sipas dëshmive të mbërritura në redaksi, në zonë operojnë vazhdimisht fadroma dhe kamionë që gërryejnë shtratin e lumit pa kriter, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në ekosistem dhe duke rrezikuar seriozisht infrastrukturën përreth. Banorët shprehen se kjo situatë po zhvillohet në heshtje të plotë nga institucionet vendore dhe ato qëndrore, të cilat deri më tani nuk kanë ndërhyrë për të ndalur këtë aktivitet.

Rrezik real për infrastrukturën dhe jetën e banorëve

Një nga shqetësimet më të mëdha lidhet me gjendjen e urës në zonë. Sipas banorëve, gërryerja e vazhdueshme ka nxjerrë në sipërfaqe këmbët e urës, duke rritur ndjeshëm rrezikun për shembjen e saj. Po ashtu, në rrezik të drejtpërdrejtë ndodhet edhe rruga kryesore, e cila mund të dëmtohet rëndë nëse vazhdon kjo situatë.

“Ndjehemi të rrezikuar çdo ditë. Lëvizim me frikë, sidomos ne që përdorim transportin publik,” shprehet një nga drejtuesit e mjeteve të transportit në zonë, duke theksuar pasigurinë që ka krijuar kjo situatë.

Pasuri publike në zhdukje

Banorët e konsiderojnë lumin dhe burimet natyrore përreth si pasuri të përbashkët të komunitetit dhe të brezave të ardhshëm. Sipas tyre, shfrytëzimi i pakontrolluar po çon drejt një “masakre mjedisore”, duke zhdukur jo vetëm vlerat natyrore, por edhe potencialin turistik të zonës.

Zona e Muhurrit, e njohur për frekuentimin nga guida turistike dhe aktivitete si camping, rrezikon të humbasë tërheqjen e saj për vizitorët nëse degradimi vazhdon me këto ritme.

Apel urgjent për ndërhyrje

Në reagimet e tyre, banorët i bëjnë thirrje institucioneve përgjegjëse që të ndërhyjnë menjëherë për të ndaluar këtë aktivitet dhe për të hetuar ligjshmërinë e tij. Ata kërkojnë transparencë dhe masa konkrete për të mbrojtur lumin Drin dhe zonën përreth nga shkatërrimi i mëtejshëm.

“Urojmë që rasti ynë të bëhet publik dhe autoritetet të reagojnë. Pamjet filmike flasin vetë,” thuhet në mesazhin e dërguar nga banorët, të cilët kanë zgjedhur të mbeten anonimë nga frika e presioneve.

Ndërkohë, mbetet për t’u parë nëse institucionet do të reagojnë për të parandaluar një katastrofë të mundshme mjedisore dhe infrastrukturore në këtë zonë të Dibrës.