Partia Demokratike ka ngritur akuza të forta ndaj qeverisë për situatën në arsimin e lartë, duke e cilësuar atë një tjetër skandal, kësaj here brenda auditorëve universitarë. Në një deklaratë publike, drejtuesja e Departamentit të Arsimit në PD, Lili Sula, denoncoi atë që e cilësoi si degradim të thellë në Universitetin “Eqrem Çabej” në Gjirokastër.

Sipas saj, gjatë viteve të qeverisjes së Edi Rama, ky institucion është kthyer nga një qendër e rëndësishme akademike në një shembull problematik të menaxhimit të arsimit publik. Në thelb të akuzave qëndron fenomeni i nepotizmit, i cili sipas PD-së ka depërtuar në çdo nivel të universitetit.

Në deklaratë pretendohet se punësimet, administrimi financiar dhe proceset akademike janë ndikuar nga lidhje familjare dhe interesa të ngushta. PD flet për krijimin e “dinastive” brenda institucionit, ku poste kyçe mbahen nga persona me lidhje të afërta me njëri-tjetrin, duke zbehur standardet profesionale dhe meritokracinë.

Po ashtu, theksohet mungesa e transparencës në përdorimin e fondeve, si dhe problematika me pagesat e pedagogëve, që sipas opozitës reflektojnë një krizë më të gjerë në sistemin universitar publik.

Në vijim të deklaratës, Lili Sula rendit një sërë rastesh konkrete të pretenduara të konfliktit të interesit, duke përfshirë drejtues dhe ish-drejtues të universitetit që, sipas saj, kanë të punësuar familjarë në pozicione të ndryshme akademike dhe administrative.

Ajo kritikon gjithashtu Ministrinë e Arsimit, duke përmendur ministren Mirela Kumbaro, për mungesë reagimi ndaj situatës, ndërsa akuzon institucionet përgjegjëse për neglizhencë përballë një fenomeni që, sipas saj, nuk kufizohet vetëm në një universitet, por prek gjithë sistemin publik.

Në përfundim, PD i bën thirrje institucioneve si Ministria e Arsimit, Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe organet e drejtësisë që të nisin verifikime të plota dhe të pavarura për të hetuar rastet e dyshuara të nepotizmit dhe konfliktit të interesit. Sipas saj, vetëm përmes transparencës dhe zbatimit rigoroz të ligjit mund të rikthehet besimi në arsimin e lartë dhe të garantohet një sistem i bazuar në meritë.

Deklarata e plotë e Lili Sula, nga PD:

Gjatë këtyre trembëdhjetë viteve të qeverisjes së Edi Ramës, universiteti me emrin e madh të shkencave albanologjike, Eqrem Çabej, në Gjirokastër, është shndërruar në simbol të shpërbërjes së arsimit të lartë publik në Shqipëri.

Nepotizmi i shfrenuar, krijimi i dinastive familjare dhe politike sundon çdo hallkë të universitetit: nga punësimet te diplomat fantazmë; nga zbrazja e auditorëve te mjegullnaja e fondeve financiare, të lëvruara pa transparencë e shpesh në funksion të interesave të ngushta të drejtuesve që shkojnë deri në pikën e mospagesës për pedagogë të brendshëm kundrejt qokave për pedagogët e jashtëm.

Raportimet mediatike dhe nga terreni dëshmojnë se grupet nepotike kanë uzurpuar çdo strukturë universitare:

– Në zyrën e kurrikulave gjendet ish-sanitarja e Universitetit, edhe pse ky pozicion kërkon profesioniste për ekspertiza të mirëfillta.

– Nuk ndodh kund në botë që zv. rektorja dhe përgjegjësja e marrëdhënieve me jashtë e universitetit, njëkohësisht kryetare e këshillit bashkiak të Gjirokastrës, e pagëzuar me titullin ‘Lubia e universitetit’ pedagogia e anglishtes M. I. të ketë edhe dy kunatat dhe dy kushërirat e para pedagoge.

– Ish-rektori B. M. ka djalin dhe nusen e djalit dhe krushkun pedagog dhe një person të afërt sekretare.

– Një tjetër ish-rektor, G. S., aktualisht zv/rektor ka edhe bashkëshorten shefe departamenti të historisë edhe djalin pedagog.

– Kryetari i bordit të universitetit, pedagogu, Th. T. ka marre edhe dy motrat pedagoge.

– Dekani i shkencave të Natyrës, S. M., ka dy vajzat pedagoge dhe nusen e nipit laborante.

– Në degën e studimit të Greqishtes janë 5 pedagogë në lidhje bashkëshortore dhe familjare shumë të afërta.

– Kancelari dhe administrator S. G., ka 2 pedagoge, vëlla e motër, 2 kushërinj.

– Nepotizmi që është shtrirë në të gjitha strukturat akademike në këtë universitet e ka pasur më të lehtë të zaptojë administratën: pesë anëtarë nga familja Shehu punojnë në administratë.

Kjo është vetëm një pjesë e panoramës së Universitetit të Gjirokastrës i cili nga qendër e dijes dhe kërkimit, është kthyer në një rrjet interesash të ndërthurura familjare dhe politike, ndërsa merita është zëvendësuar nga klientelizmi dhe korrupsioni.

Në këtë realitet të rëndë, ministria e arsimit, znj. Mirela Kumbaro, sikur të jetojë në ishull, ironikisht, flet për hartimin e strategjisë 2027-2032 me prioritet cilësinë; për krijimin e mekanizmave për të kontrolluar cilësinë në arsimin e lartë dhe për ndërkombëtarizim të arsimit të lartë; për rishikimin e ligjit 80/2015, pas 11-të vitesh nga hyrja e tij në zbatim, pa zënë me gojë kolapsin e plotë universitar, që nuk karakterizon vetëm një universitet, por prej vitesh, ka ngërthyer gjithë sistemin universitar publik në vend.

U bëj thirrje institucioneve përgjegjëse si Ministria e Arsimit, Kontrolli i Lartë i Shtetit, Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit si dhe organeve të drejtësisë që të nisin pa vonesë verifikime të thelluara dhe të pavarura mbi fenomenin e konfliktit të interesit dhe nepotizmit në të gjitha universitetet publike në vend.

Vetëm përmes transparencës, hetimit të paanshëm dhe ndëshkimit të çdo shkeljeje ligjore mund të rikthehet besimi i publikut dhe të garantohet funksionimi i një sistemi universitar të bazuar në meritë dhe integritet”.