Ina Zhupa: Qeveria po favorizon klientelën në kurriz të qytetarëve

Kryetarja e Komisionit për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën, Ina Zhupa, ka reaguar ashpër ndaj nismës së njohur si “Paketa e Maleve”, duke e cilësuar atë si një skemë që cenon të drejtën e pronës dhe favorizon një rreth të ngushtë interesash.

Në deklaratën e saj, Zhupa akuzon drejtpërdrejt qeverinë dhe kryeministrin Edi Rama, duke pretenduar se kjo nismë ka dalë jashtë qëllimit fillestar dhe po përdoret për të përfituar individë të caktuar në dëm të qytetarëve.

Sipas saj, projekti që fillimisht synonte zhvillimin e zonave malore, tashmë është shtrirë edhe në zona të tjera si fusha, kodra dhe bregdet, duke krijuar rrezik për pronat e qytetarëve që nuk kanë mundësi financiare për të investuar.

Zhupa e konsideron këtë qasje si një goditje të drejtpërdrejtë ndaj shtetit ligjor dhe të drejtës së pronës, duke përdorur një gjuhë të fortë politike për të përshkruar situatën.

Reagimi i plotë:

Paketa e maleve ose paketa e tjetërsimit të pronës private. Për ata që nuk kanë para të investojnë në pronat e tyre, për ata që nuk ndërtojnë dot resorte, agroturizëm apo çdo lloj aktiviteti tjetër ekonomik, për ata nuk ka pronësi.
Për ata nuk ka toka!

Vetëm të pasurit, ata që kanë para të investojnë, ata që janë miqtë e Edi Ramës.

Ata mund të gëzojnë, përveç tokave publike që ua dhanë për një copë buke, tanimë do t’u japin edhe tokat private, me justifikimin se këta i punojnë. Ky është fundi i shtetit ligjor!

Është fundi i Kushtetutës dhe është fundi i respektimit të pronës si një e drejtë e shenjtë.

Paketa e maleve u nis dhe u zbatua me idenë që do të ndërtoheshin dhe do të rivitalizoheshin malet shqiptare,
atje ku nuk kishte kërkesë për të ndërtuar apo për të jetuar.

Ndërkohë, nga malet i zbritën në fusha, në kodra, në bregdet dhe kudo, vetëm e vetëm për të vjedhur tokën e njerëzve të ndershëm, që ndoshta janë në pamundësi ekonomike.

Paketa e maleve është paketa e vjedhjes së madhe!