Pagesa me detyrim dhe kanosje ndaj qytetarëve

Një grup banorësh të pallatit “Ambassador 3” në Tiranë i janë drejtuar redaksisë së Publik.al me një denoncim të detajuar lidhur me një situatë që, sipas tyre, po vijon prej kohësh dhe po cenon qetësinë, sigurinë dhe rendin publik në zonë.

Sipas denoncimit, një person që shërben si roje/punonjës pranë kompleksit Vertical Forest Tirana, i vendosur në afërsi të pallatit të tyre dhe pranë stadiumit “Air Albania”, ka zaptuar në mënyrë të paligjshme një segment rruge publike pas stadiumit, duke e kthyer atë në një parking me pagesë.

Banorët pretendojnë se individi në fjalë, i cili sipas tyre operon pranë një kabine roje përballë një lokali në zonë, u kërkon qytetarëve pagesa që nisin nga 200 lekë të reja për parkimin në një hapësirë që ata e konsiderojnë publike dhe të lirë për përdorim. Në rast refuzimi, ata thonë se përballen me presion psikologjik dhe kanosje për dëmtim të automjeteve, si gërvishtje të qëllimshme.

“Sipas përshkrimeve tona, mjafton të parkosh në atë zonë dhe personi në fjalë vjen vetë dhe të troket në xham, duke kërkuar pagesë,” thuhet në denoncim, duke shtuar se situata është bërë e padurueshme për banorët.

Në kërkesën e tyre, qytetarët i bëjnë thirrje institucioneve përkatëse që të ndërhyjnë menjëherë për verifikimin në terren dhe për marrjen e masave ligjore ndaj personit të përfshirë, si dhe ndaj çdo subjekti që mund të jetë duke lejuar një aktivitet të tillë. Ata kërkojnë gjithashtu lirimin e hapësirës publike dhe rikthimin e saj në funksion të parkimit të lirë, në përputhje me rregullat e Bashkisë së Tiranës.

Banorët paralajmërojnë se, nëse nuk merren masa, do të ndjekin rrugë ligjore dhe kanë ftuar edhe emisione investigative për të trajtuar rastin.

Denoncimi i plotë:

Ne, banorët e pallatit ‘Ambassador 3’, dëshirojmë të denoncojmë zyrtarisht personin që shërben si roje/punonjës i kompleksit ‘Vertical Forest Tirana’, ngjitur me pallatin tonë. Ky individ ka zaptuar në mënyrë të paligjshme rrugën pas Stadiumit ‘Air Albania’, duke e kthyer atë në një parking personal me pagesë (kabina e rojes ndodhet përballë ‘Le Bar’).

Ky person kushtëzon parkimin në rrugë publike me një pagesë që fillon prej 200 lekësh të reja dhe, në rast refuzimi, ushtron presion psikologjik dhe kanos banorët me dëmtim të pronës (gërvishtje të mjetit). Kjo situatë është bërë e padurueshme dhe cenon sigurinë tonë dhe rendin publik. Për të gjithë ata që nuk e besojnë këtë fenomen, mjafton të provojnë të parkojnë aty dhe ai vjen vetë t’u trokasë në xham.

Kërkojmë:

  1. Verifikimin e menjëhershëm të situatës në terren.
  2. Marrjen e masave ligjore ndaj personit (rreth 50 vjeç, me tipare të dallueshme fizike) dhe subjektit që lejon këtë aktivitet.
  3. Lirimin e rrugës publike për parkim të lirë, sipas rregullave të Bashkisë.

Ky person, që mendon se është pronar i rrugës, do të ndiqet edhe në rrugë ligjore nëse nuk merren masa. Së fundmi kemi ftuar edhe emisione investigative për ta ndjekur këtë rast.

Faleminderit paraprakisht.