Një tjetër denoncim shqetësues ka mbërritur në redaksinë e Publik.al, duke hedhur dritë mbi një rast të dyshuar abuzimi me detyrën nga një mjek në qytetin e Korçës. Rrëfimi i një qytetareje, e cila kërkon të mbetet anonime, përshkruan një situatë të rëndë, ku sipas saj, një profesionist i shëndetësisë ka tentuar të përfitojë nga gjendja e saj e vështirë ekonomike dhe sociale.

Sipas dëshmisë, ngjarja ka ndodhur në ambientet e një spitali në Korçë, ku pacientja ishte paraqitur për të marrë shërbim mjekësor. Ajo pretendon se gjatë komunikimit, mjeku ka kaluar nga pyetje personale në sjellje të papërshtatshme, duke i bërë komente dhe duke tentuar të krijojë një raport jashtë çdo etike profesionale.

Situata, sipas saj, ka agravuar deri në një propozim të drejtpërdrejtë për një marrëdhënie intime, në këmbim të ndihmës për punësim. Qytetarja thekson se është ndjerë e shokuar dhe e pambrojtur, ndërsa pretendon se sjellja e mjekut ka qenë e qëllimshme dhe e përsëritur gjatë komunikimit mes tyre.

Ky denoncim ngre pikëpyetje serioze mbi etikën profesionale dhe abuzimin e mundshëm me pushtetin në institucione publike, veçanërisht kur bëhet fjalë për persona që ndodhen në situata të vështira dhe kërkojnë ndihmë.

Rasti mbetet një pretendim që kërkon verifikim nga institucionet përkatëse, ndërsa autoritetet shëndetësore dhe organet ligjzbatuese pritet të hetojnë për të zbardhur të vërtetën dhe për të marrë masat e nevojshme nëse faktet konfirmohen.

Publik.al inkurajon çdo qytetar që përballet me situata të ngjashme të denoncojë pranë institucioneve përgjegjëse, në mënyrë që raste të tilla të mos mbeten të fshehura dhe të trajtohen me seriozitetin e duhur.

Denoncimi:

Përshëndetje, lidhur me atë lajmin për doktorin e Korçës dua t’ju rrëfej diçka. Po, është e vërtetë që në atë spital ndodhin shumë gjëra, si rasti i këtij doktorit… Fjalët që kemi dëgjuar për këto fundërrima si ai, njësoj, nuk paskan qenë kot… Unë s’i besoja hiç derisa e provova vetë në kurrizin tim. Mua më ka ngacmuar e më ka kërkuar seks. Një aty, një dhëmb i kalbur, më pati thënë që do më ndihmonte të futesha në punë. Këta përdorin çfarë kanë në dorë dhe pushtetin që kanë për të përfituar nga hallet e njerëzve, se unë isha në vështirësi shumë të madhe dhe kisha nevojë për punë. Kam mbetur e llaftarisur. E nisi me pyetje ‘a je e dashuruar’, pastaj më komplimentonte, më shikonte vetëm në sy, s’më shqitej dhe qeshte kot pa lidhje me muhabetin. Në fund ma tha hapur të dilnim bashkë për kafe. Mes katër mureve ai jargë më është afruar në mënyrë të papërshtatshme dhe kujt t’i thuash, s’të besojnë, se janë me status, burra të martuar e me fëmijë sa gocat që ngacmojnë… Kam ikur e llaftarisur dhe s’dua të shkel më në atë spital.