PD: U vodhën 450 milionë euro për një tunel të çarë
Partia Demokratike ka dalë sot në një tjetër denoncim të fortë ndaj qeverisë dhe Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjetikës, duke akuzuar për abuzime masive financiare dhe rrezik serioz për jetën e qytetarëve. Në fokus të akuzave ishte ministrja Belinda Balluku, e cila aktualisht përballet me hetime nga SPAK dhe GJKKO.
Në një deklaratë për mediat, drejtuesi i Departamentit të Infrastrukturës në PD, Besnik Dervishi, ngriti alarmin për atë që e cilësoi si grabitje të hapur të fondeve publike, përmes projekteve të ndërtuara pa studime të plota dhe jashtë çdo standardi sigurie. Sipas tij, bëhet fjalë për rreth 450 milionë euro të shpenzuara në mënyrë abuzive, me pasoja të rënda për sigurinë publike.
Dervishi u ndal veçanërisht te situata në Tunelin e Murrizit, i cili sipas tij ka pësuar çarje serioze dhe rrezikon shembjen, ndonëse u hap për qarkullim pak para zgjedhjeve të vitit 2025. Ai theksoi gjithashtu se edhe Rruga e Arbërit vijon të jetë e pakolauduar, pavarësisht se është vënë në përdorim nga qytetarët.
Sipas përfaqësuesit të PD-së, këto fakte janë dëshmi e një modeli të përsëritur abuzimi, për të cilin opozita ka dhënë alarmin prej vitesh, por që është injoruar nga institucionet përgjegjëse. Në këtë kuadër, ai kërkoi hetime të menjëhershme, verifikim teknik të plotë dhe mbajtje përgjegjësish politike e penale.
Deklarata e plotë e Besnik Dervishit nga Partia Demokratike:
“Tuneli i Murrizit, i cili u hap për qytetarët pak përpara zgjedhjeve të vitit 2025, me nxitim elektoral, propagandë dhe ceremoni festive, sot, pa kaluar as një vit nga hapja e tij, ka pësuar krisje dhe çarje, duke rikonfirmuar në mënyrën më kriminale se kemi të bëjmë me një vepër të realizuar jashtë standardeve teknike dhe atyre të sigurisë.
Kjo që ka ndodhur nuk ishte e paparashikueshme, pasi këmbanat e alarmit kanë rënë shumë më herët, si gjatë ndërtimit të tunelit ashtu edhe pas hapjes së tij, kur inxhinierët e Departamentit të Infrastrukturës në Partinë Demokratike kanë deklaruar se kjo rrugë, dhe ky tunel në veçanti, ishte jashtë standardit dhe përbënte rrezik serioz për jetën e qytetarëve.
Ky alarm profesional u injorua.
Sot, faktet janë mbi tokë: Tuneli rrezikon të shembet.
Deputetët e Partisë Demokratike i janë drejtuar zyrtarisht Autoritetit Rrugor Shqiptar për informacion mbi Rrugën e Arbërit dhe përgjigjja zyrtare ka qenë:
“Tuneli i Murrizit, pjesë e segmentit nr. 3 të territorit të Rrugës së Arbërit, është segment që nuk është dorëzuar ende pranë ARRSH për ndjekjen e procedurave të kolaudimit.”
Pra, Tuneli i Murrizit dhe Rruga e Arbërit janë hapur për përdoruesit e rrugës të papërfunduara, të pakolauduara dhe të pamarra në dorëzim.
Ndërtimi i Rrugës së Arbërit, me gjatësi prej 74 km, ka nisur në vitin 2005, me një studim fizibiliteti të kryer para vitit 2005, dhe deri në vitin 2013 kanë qenë të përfunduara plotësisht 25 km të saj, ndërsa 15 km të tjera ishin të përfunduara në masën 80%.
Projekti për përfundimin e saj parashikonte një kosto totale prej 170 milionë euro.
Pas vitit 2013, punimet u ndërprenë, pasi ndërtimi i rrugës duhej të jepej me PPP…
Për këtë model duhet përgjegjësi politike dhe penale, jo justifikime të ricikluara dhe fajësim i së shkuarës”.






