Deputetja e Partisë Demokratike, Dhurata Çupi, është shprehur se PD duhet të bashkohet me çdo kusht përpara zgjedhjeve të 14 majit, me qëllim që të arrijë fitoren.
Çupi thotë se kandidatët e “Primareve” duhet të kandidojnë nën siglën e PD-së.
Edi Rama qëndron në pushtet falë përçarjes së opozitës dhe gjuhës së urrejtjes që ata përdorin me njëri-tjetrin.

Sipas Çupit, ka një grup të rinjsh dhe intelektualësh që nuk bashkohen me PD-në, për shkak të përçarjeve dhe gjuhës së përdorur kundër njëri-tjetrin.
“Unë sugjeroj që të ulemi e të bëjmë paqe me njëri-tjetrin. Të dalin kandidaturat nën siglën e Partisë Demokratike. Të bashkohemi deri në datën 14 maj. Të bashkohemi për opozitë të përbashkët, për koordinim në Parlament. Asgjë nuk duhet të na ndalë ndaj një qëllimi të përbashkët për vendin dhe demokratët. Duhet të shpëtojmë Shqipërinë nga vjedhjet dhe hajdutllëku. Nëse ne demokratëve i dërgojmë 2 zgjedhje, kjo është në favor të Edi Ramës. Ne kemi kërkuar që në siglën e PD-së, kandidatët për kryetarë bashkie të jenë nën siglën e PD.
Vetëm duke u ulur dhe duke parë të mirën e demokratëve, vetëm kështu mund të shpëtojmë vendin nga kjo e keqe. Mjafton të jetë vullneti, të ulim krenaritë personale, të ulemi me dëshirën për të qenë të bashkuar, padyshim që ka shpresa, ka kohë. Plane për të përçarë PD-në ka sa të duash. Sot ka një mbledhje Kryesie, të shikojmë çfarë do të diskutohet mes kolegëve. Unë jam pjesë e atyre zërave që kanë kërkuar një kandidat të vetëm nga ana e opozitës. Kryetarët e bashkive duhet të jenë të përbashkët. PD duhet të bashkohet në denoncimet e vazhdueshme, kemi denoncuar prej vitesh dosjet e kësaj qeverie. Po thirren sot në SPAK kryetarë bashkishë, deputetë apo ministra. Nëse PD është e përçarë, i ka të fituara zgjedhjet në tavolinë Edi Rama.
Është një grup të rinjsh që nuk afrohen në PD. Shikojnë këtë gjuhë urrejtjeje dhe këtë përçarje dhe stepen. Nëse ne nuk marrim pjesën intelektuale dhe pjesën gri, ne përsëri do të mbetemi opozitë. Unë vazhdoj të them se platforma dinjitoze, puna dinjitoze, afrimi me të rinjtë dhe intelektualët, por këta të fundit nuk afrohen kur shohin gjuhë urrejtjeje. Ramën në pushtet po e mban vetëm përçarja e opozitës. Për sa kohë ne komunikojmë me njëri-tjetrin me gjuhë urrejtjeje, Rama do të mbretërojë”, u shpreh Çupi.





