Ngjarja e rëndë që tronditi fshatin Majac ka lënë pas tre viktima dhe një sërë pikëpyetjesh mbi rrethanat në të cilat ndodhi. Që prej momentit të parë, raportimet në media kanë qenë të ndryshme, ndërsa familjarët e përfshirë po përpiqen të sqarojnë versionin e tyre për atë që ndodhi.
Një anëtar i familjes Gashi, i cili ka preferuar të mbetet anonim, ka dhënë një dëshmi për Klan Kosova, duke kundërshtuar disa prej informacioneve të publikuara. Ai theksoi se familja nuk ka pasur konflikte të hapura me askënd dhe se nuk kanë qenë në dijeni të lidhjes që Ardita Gashi kishte me Ilaz Brahimi, 45 vjeç nga Obiliqi.
Sipas tij, gjithçka ndodhi në mënyrë të papritur dhe me një intensitet të lartë dhune. Pas incidentit të parë, Ardita Gashi është afruar tek pjesëtarët e tjerë të familjes, ku ndodheshin edhe gra dhe fëmijë.
“Pasi qëlloi atë djalin, ajo shkoi tek nusja e xhaxhait. Ajo ishte bashkë me nusen e djalit dhe tre fëmijët. Ardita iu tha të dilnin jashtë sepse kishte diçka për të biseduar me nusen e xhaxhait. Sapo dolën, dëgjuam të shtëna. Ne ikëm menjëherë, por ajo u mbyll në dhomën e fëmijëve. Kur vëllai tentoi të hynte, ajo drejtoi armën ndaj vetes dhe i tha ‘largohu, se do të të vras edhe ty’”, ka rrëfyer familjari.
Ai ka sqaruar gjithashtu se arma e përdorur në këtë ngjarje ishte një pistoletë, duke hedhur poshtë pretendimet se është përdorur armë automatike ndaj viktimave.
Ngjarja ndodhi mbrëmjen e 22 marsit, kur Ardita Gashi dyshohet se qëlloi për vdekje Ilaz Brahimin. Një tjetër anëtare e familjes, Miradije Gashi, mbeti e plagosur rëndë dhe ndërroi jetë mëngjesin e së hënës gjatë trajtimit në QKUK. Vetë Ardita Gashi u transportua në të njëjtin institucion në gjendje kritike pas vetëplagosjes, por nuk arriti të mbijetojë.
Nga ana tjetër, zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Kaltrina Shala, ka bërë të ditur se ngjarja dyshohet të ketë nisur si pasojë e një mosmarrëveshjeje mes dy personave të përfshirë.
Hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht motivet dhe dinamikën e kësaj ngjarjeje tragjike, e cila ka tronditur thellë komunitetin lokal.






