Një incident i rëndë është raportuar në Skënderaj, ku përfshihen figura politike vendore, duke nxitur reagime të forta dhe akuza të ndërsjella mes palëve.

Kryetari i degës së Lëvizjes Vetëvendosje në Skënderaj, Hysni Mehani, ka deklaruar se është sulmuar fizikisht nga kryetari i komunës, Sami Lushtaku, i cili është pjesë e Partisë Demokratike të Kosovës.

Në një reagim publik, Mehani shprehet:
“Te dashur miq jam sulmuar nga Sami Lushtaku dhe banda e tij. Telefonin personal ma kanë marrë. Lus policinë të mbrojë familjen time dhe ftoj familjarët për përmbajtje.”

Deri më tani, Policia nuk ka dalë me një deklaratë zyrtare lidhur me ngjarjen.

Së fundmi, Mehani ishte emëruar në detyrën e zëvendësministrit të Financave.

Ndërkohë, Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar ashpër, duke dhënë një përshkrim më të detajuar të incidentit. Sipas tyre, ngjarja ka ndodhur në një kafene në qendër të Skënderajt, ku Mehani ndodhej së bashku me deputeten Arjeta Fejza dhe aktivistë të tjerë.

Sipas deklaratës së LVV-së, Mehani fillimisht është goditur me grusht dhe më pas edhe me gotë në kokë. Gjithashtu, thuhet se Bahri Zabeli, sekretari i qendrës, është sulmuar gjatë përpjekjes për të ndërhyrë dhe për të parandaluar përshkallëzimin e situatës. Mehani raportohet se ka marrë trajtim mjekësor pas incidentit.

LVV e ka cilësuar ngjarjen si një “sulm fizik banditesk”, duke kërkuar reagim të menjëhershëm nga organet e drejtësisë dhe dënim të aktit nga PDK.

Nga ana tjetër, vetë Sami Lushtaku ka mohuar akuzat dhe ka dhënë një version krejt tjetër të ngjarjes. Ai ka deklaruar:
“Pushteti i Albin Kurti përmes mekanizmave të tij tentoi që sot të më sulmoi në Skenderaj. E kam një jetë në shërbim të vendit kurse etiketat si ‘Sami Serbia’ qytetarët nuk i tolerojnë më prandaj edhe reaguan!”

Ngjarja mbetet ende e paqartë në mungesë të një reagimi zyrtar nga autoritetet, ndërsa tensionet politike rreth saj vijojnë të rriten.