Ish-drejtoresha për të drejtat e njeriut në Mal të Zi, Mirjana Pajkoviq, ka bërë të ditur se po hyn në politikë me një forcë të re. Ajo ka nisur procedurat për krijimin e partisë së quajtur “Stranka evropskog koraka slobode”, e cila në shqip përkthehet si “Partia e hapit evropian të lirisë”, ndërsa shkurtimi i saj do të jetë SEKS.
Gjatë një interviste televizive, Pajkoviq u shpreh e vendosur për të marrë pjesë në zgjedhje dhe për të synuar një vend në parlament. Ajo komentoi gjithashtu edhe polemikat e fundit që e kanë përfshirë, duke pranuar se ka pasur ndërveprime në platforma online dhe kërkesa të ndryshme nga përdoruesit.
Çështja e saj mori vëmendje të madhe publike pasi në rrjetet sociale u publikuan materiale intime, për të cilat ajo ka akuzuar Vukshiq për shpërndarje të paautorizuar. Në lidhje me këtë, Pajkoviq ka depozituar disa kallëzime penale.
Ndërkohë, autoritetet në Mal të Zi kanë nisur verifikimet paraprake për të sqaruar rrethanat dhe për të përcaktuar përgjegjësitë ligjore lidhur me këtë rast.






