Nga krimi i organizuar tek klientët politikë që thithin miliona nga taksat e shqiptarëve

Një vëzhgim i thjeshtë i transfertave të Thesarit të Shtetit drejt dhjetëra kompanive private ka zbuluar një realitet të errët: mbi 300 përfitues të mëdhenj të fondeve publike përmes tenderave dhe koncesioneve, ku shumë prej kontratave mbajnë aromë korrupsioni dhe pazare të mbyllura.

Shumë prej këtyre subjekteve fshihen pas emrave të tjerë, duke u kamufluar në skema pronësie të ndërlikuara. Por hetimet nxjerrin në pah se pas disa firmave që marrin miliona nga arka e shtetit, qëndrojnë figura të njohura të krimit të organizuar, të përfshira më herët në trafik droge, prostitucion dhe pastrim parash.

Një pjesë tjetër e kësaj elite të tenderave janë të skeduar e madje të dënuar për korrupsion, mashtrim me dokumenta dhe skema abuzive në prokurime publike. Sipas burimeve hetimore, 1/3 e listës ndodhet aktualisht në dosjet e SPAK, nën hetim për afera korruptive.

Tendera pa garë dhe pazare në tavolinë

Mbi 70% e tenderave të fituara nga ky grup rezultojnë të shënjuara me “flamurin e kuq” nga sistemi i prokurimeve, për shkak të mungesës së konkurrencës dhe diferencës minimale mes fondit limit dhe ofertës fituese – shenjë tipike e një gare të paracaktuar.

Modeli është i njohur: gara formale për sy e faqe, ndarja e roleve mes aktorëve të përfshirë, dhe ndarja e përfitimeve pasi paratë e taksapaguesve kalojnë në llogari private.

Mashtrim në zbatimin e kontratave

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka konstatuar raste masive të kontratave fiktive, situacioneve të rreme dhe faturimeve të fryra, ku projektet deklarohen si të përfunduara ndërkohë që punimet nuk kryhen sipas specifikimeve. Kjo praktikë, e kombinuar me prokurimet e manipuluara, ka kthyer buxhetin e shtetit në një “lopë qumështi” për qindra individë dhe kompani të lidhura politikisht.

Nga bosët e betonit tek oligarkët e shërbimeve publike

Në listën e përfituesve më të mëdhenj spikasin emra të njohur të ekonomisë klienteliste shqiptare: Bashkim Ulaj, Pëllumb Salillari, Shkëlqim Fusha, Idajet Ismailaj, Rrok Gjoka, Ram Geci, Agron Papuli, Odhise Bresha, Vilma Nushi, Tan Dulaku, Klodian Allajbeu, Gjergj Luca, Safet Gjici, Ermal Beqiri, Sokol Topçiu, Gerond Meçe, e dhjetëra të tjerë – një pjesë e të cilëve njihen edhe nga dosje hetimore të SPAK dhe media.

Një listë risku që kërkon monitorim të posaçëm

Ekspertët e prokurimeve dhe transparencës publike e konsiderojnë këtë listë si “listë risku”, ku çdo tender i fituar nga këta subjekte duhet të kalojë në sitë të imta kontrolli. Deri atëherë, fondet publike do të vazhdojnë të shpërndahen me të njëjtin model: klientët e pushtetit marrin kontratat, qytetarët paguajnë faturën.