I jep Qani Saraçit dhe Sokol Çupit 3.2 miliardë lekë të Strehës së Jetimëve duke i favorizuar si klientë

Tiranë – Fondi Shqiptar i Zhvillimit (FSHZH), institucioni përgjegjës për realizimin e projekteve të rëndësishme në vend, është përfshirë në një tjetër skandal që lidhet me abuzimin me fondet publike përmes tenderave të dyshimtë. Drejtori i FSHZH, Dritan Agolli, pavarësisht se është nën hetim nga SPAK për korrupsion, vazhdon të shpërndajë kontrata të majme për klientët e tij të preferuar, duke shpërdoruar buxhetin e shtetit në favor të interesave personale dhe klienteliste.

Në fokus të këtij hetimi është tenderi me objekt: “Ndërhyrje për rikonstruksionin e godinave të spitalit të Peqinit dhe Shtëpisë së Fëmijës ‘Vangjel Pulla’ në Sarandë, si dhe transformimi i Qendrës Shëndetësore në një Qendër Mjekësore të Traumës Sportive në Thumanë”, me një vlerë prej 316 milionë lekësh pa TVSH. Edhe pse në këtë tender konkurruan tetë operatorë ekonomikë, Agolli skualifikoi ofertat më të ulëta, duke shpallur fitues bashkimin e operatorëve “EURONDËRTIMI 2000” dhe “EVEREST” me një ofertë prej 243 milionë lekësh, shumë më e lartë se disa oferta të tjera më ekonomike dhe teknike.

Skualifikim i ofertave më të lira – a është ky një pazar i fshehtë?

Sipas dokumenteve të administruara nga Agjencia e Prokurimit Publik, bashkimi i operatorëve “BEAN” sh.p.k & “NG STRUCTURES” sh.p.k ofroi realizimin e punimeve për 239 milionë lekë, ndërsa “L.T.E Construction” ofroi një vlerë prej 213 milionë lekësh pa TVSH, çka do t’i kursente shtetit rreth 400 milionë lekë. Pavarësisht këtyre ofertave më të favorshme, ato u skualifikuan pa argumente të qarta, duke hapur rrugën për një fitues të paracaktuar.

Dyshimet për korrupsion në këtë tender janë të mëdha, pasi kompania fituese “EURONDËRTIMI 2000”, e administruar nga Qani Saraçi, ka një histori problematike me projekte të lëna përgjysmë dhe cilësi të dobët të punimeve. Në vitin 2002, kjo kompani la pa përfunduar punimet në Aeroportin “Nënë Tereza”, ndërsa kohët e fundit është përfshirë edhe në abuzime me fondet e rindërtimit pas tërmetit.

A ka kapacitet kompania fituese për të realizuar projektin?

Dyshimet thellohen edhe më shumë kur analizohen kapacitetet njerëzore të kompanisë së shpallur fituese. Sipas të dhënave zyrtare, “EURONDËRTIMI 2000” ka vetëm 40 punonjës, ndërkohë që për një projekt të përmasave të tilla kërkohen minimalisht 100 specialistë të fushave të ndryshme. Nga ana tjetër, kompanitë konkurruese që ofruan çmime më të ulëta u skualifikuan me pretekste formale, duke përjashtuar mundësinë e një konkurrence të ndershme.

Tre projekte në qarqe të ndryshme, një pazar i vetëm

Në këtë tender janë bashkuar tre projekte të ndryshme në Peqin, Sarandë dhe Thumanë, një praktikë që kufizon konkurrencën dhe favorizon kompani të caktuara. Bashkimi i projekteve për krijimin e një super-tenderi duket të jetë një skemë e mirëmenduar për të mbajtur jashtë loje kompanitë më të vogla, ndërsa përqendron fondet në duart e një grupi të vogël përfituesish.

Komisioni i Agollit ka vendosur një fond limit të kontratës prej 316,235,894.81 lekësh (pa TVSH) pa sqaruar se si është përllogaritur. Për më tepër, nuk është e qartë përse janë bashkuar tre projekte në qarqe të ndryshme të vendit brenda një tenderi. Sigurisht, që kjo bëhet për të përqendruar të gjithë shumën në një prokurim, nënkupto në një pazar të Dritan Agollit. Nga ana tjetër, duke bashkuar tre projekte, lihen jashtë konkurrimit, kompanitë më të vogla të ndërtimit.

Njoftimi i tenderit është bërë më 21 nëntor 2024, ndërsa afati i mbylljes për dorëzimin e ofertave ishte caktuar më 6 dhjetor 2024. Në këtë procedurë janë përpjekur të marrin pjesë 8 operatorë konkurrues, por Agolli i ka skualifikuar fillimisht ato me vlerë më të ulët dhe ma pas procesi ka qenë thjesht formal, sepse fituesi ishte i paracaktuar.

Fiton oferta më e shtrenjtë

Bashkimi i operatorëve “EURONDERTIMI 2000” sh.p.k  dhe “EVEREST” sh.p.k me ofertë pa TVSH 243,387,102 lekë u shpall fitues më 27 dhjetor 2024, ndërsa kontrata u lidh nga Agolli më 10 janar 2025. Theksojmë se vlera e pritshme e kontratës me TVSH është 272,231,250 lekë, ndërsa çelësat e objekteve duhen dorëzuar pas 18 muajve.

Nga ky dokument i administruar në Agjencinë e Prokurimit Publik vërejmë se, po të ishin marrë në konsideratë ofertat e skualifikuara nga Agolli, buxhetit të shtetit do t’i ishin kursyer rreth 400 milionë lekë.

Kështu bashkimi i operatorëve “BEAN” sh.p.k & “NG STRUCTURES” sh.p.k kishte një ofertë me vlerë 239,788,987.29 lekë. Ndërsa operatori ekonomik “L.T.E CONSTRUCTION” sh.p.k propozonte ta bënte këtë punë me  213,191,310.50 lekë (pa tvsh).

Akoma më ekonomik është propozimi i bashkimit të operatorëve “BOSHNJAKU B” sh.p.k & “T&J Construction” sh.p.k  & “MF INVEST GROUP” sh.p.k  & “SIRE-ALB“ shpk & “2 ED” me vlerë 208,325,662.57 lekë pa tvsh, që po ashtu është skualifikuar.

Problemi i këtij tenderi janë edhe përmbushja e kushteve teknike. Nuk e dimë nëse i ka dorëzuar licencat e kërkuara, të listuara nga FSHZH në dokumentet standarde të tenderit, por në QKB, kompania e Qani Saraçit ka aktive vetëm licencën mjedisore.

Pra, Agolli nuk pyet për buxhetin e shtetit. Ndryshe, si do të pasurohej drejtor Agolli, pa përdorur postin për të favorizuar miqtë nëpër tendera?!

Kur do mbarojë rikonstruksioni i objekteve?

Kompania e Qani Saraçit, sipas faqes zyrtare, ka 40 punonjës, ndërsa sipas tenderit do të angazhojë 38 veta bashkë fabrikën e aluminit “Everest” të Sokol Çupit. A janë të mjaftueshëm kaq punonjës për të kryer këtë punë? Sipas krahasimeve që bëmë për punë të njëjta të prokuruara kohët e fundit, vetëm për një objekt të tillë kërkohen afro 100 punonjës të specialiteteve të ndryshme. Ky kriter është stërholluar me qëllim që të arrihej  përmbushej nga Qani Saraçi.

Janë tre objekte shumë larg njëri tjetrit, që na bëjmë të mendojmë se projektet do të zvarriten. I pari është “Ndërhyrje për rikonstruksionin e godinave të spitalit të Peqinit”.

Siç duket edhe nga fotot, objekti është në gjendje të mirë. Nëse do të rikonstruktohet (siç pretendohet në projekt) do të kërkonte shumë fuqi punëtore dhe mjete. Dyshimi që na lind, është se kompania në fjalë i merr tenderat dhe nuk bën punën.

Projekti tjetër është “Ndërhyrje për rikonstruksionin e godinës së Shtëpisë së fëmijës “Vangjel Pulla”, Sarandë”.

Siç duket nga foto, godina është ok. Pra, projekti i ndërhyrjes është vetëm sa për fasadë dhe propagandë. Dhe objekti i tretë është “Ndërhyrje për transformimin e Qendrës Shëndetësore në një Qendër Mjekësore të Traumës Sportive në Thumanë, Krujë”.

Duke parë se si është zhvilluar procedura e prokurimit, dyshojmë se shkeljet e bëra do të reflektohen në cilësinë e punimeve dhe në zvarritjen e tyre përtej afatit.

Merr paratë nuk zbaton kontratën

Kompania “EURONDËRTIMI 2000” është identifikuar edhe më herët me problematika dhe me punë të pakryera

Qani Saraci, është pronar dhe administrator i kësaj kompanie. Kjo kompani nga viti 2019 deri në vitin 2024 ka marrë 78 tendera. “Eurondërtim 2000” ka marrë nga shteti 1,469,726,047.00 ose thënë ndryshe 14 miliardë lekë përgjithësisht ose shumica e tenderave janë dhënë nga Bashkia e Durrësit.

Saraçit i ka dalë emri nëpër gjykata pasi i la punimet në Aeroportin e Rinasit pa i bërë. Në datën 9 korrik 2002 ishte firmosur  një kontratë sipërmarrjeje për realizimin e punimeve të ndërtimit dhe rikonstruksionit të disa ambienteve aeroportuale të aeroportit “Nënë Tereza”. Referuar vendimeve gjyqësore, kompanisë “Eurondërtimi” i është kërkuar kryerja e punimeve të papërfunduara në sipërfaqen prej 69.46 m2. Për mospërmbushje të detyrimeve kontraktore çështja shkoi me padi Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe vendimi mori formë të prerë në Apel dhe  Gjykatën e Lartë në vitin 2015. Të njëjtën sjellje ka treguar kjo kompani edhe me fondet e Rindërtimit nga tërmeti, ku është favorizuar nga zyrtarët.

Ndërsa kompania mbështetëse ‘Everest’ është pjesë e klientelës së Erion Veliajt, i cili është arrestuar për korrupsion dhe fshehje të pasurisë.

Publikimi i listës së pagave ka nxjerrë në pah edhe evazionin e kompanisë së aluminit ‘Everest’ sh.p.k. Në vitin 2022, shtypi zbuloi se kjo kompani i paguante punonjësit nën nivelin e pagës minimale dhe dyshohet se punon me dy bordero.

FSHZH, një vatër korrupsioni nën drejtimin e Agollit

Dritan Agolli nuk është i panjohur për publikun dhe drejtësinë. Në nëntor 2024, ai është marrë në pyetje nga SPAK për një tjetër skandal të lidhur me dhënien e një kontrate prej 400 mijë dollarësh kuzhinierit të njohur Alfio Rrotani për shërbime konsulence mbi menunë ushqimore të “100 Fshatrave”. Në të njëjtën kohë, Agolli është pronar i një kompanie të quajtur “Magnum Opus Group”, e cila ka përfituar gjithashtu fonde publike përmes nënkontraktimeve të dyshimta.

Kush mban përgjegjësi për abuzimin me fondet publike?

Ky skandal është një nga shumë të tjerë që përfshin Fondin Shqiptar të Zhvillimit dhe tregon qartë se si fondet publike vazhdojnë të shpërdorohen në dëm të interesave të qytetarëve. SPAK ka në dorë dokumente të mjaftueshme për të hetuar dhe ndëshkuar përgjegjësit, por mbetet për t’u parë nëse drejtësia do të veprojë pa mëshirë ndaj abuzuesve të pushtetit dhe fondeve publike.

Ky nuk është vetëm një rast korrupsioni i izoluar, por një tregues i një sistemi të korruptuar që kërkon pastrim të plotë dhe përgjegjësi konkrete.