“Pata një marrëdhënie jashtëmartesore në MCN, e përdorën për kërcënime.”
CEO i MCN: Gerond Mece më ka ndihmuar
Endri Meksi, pronar i MCN TV dhe djali i ish-kryeministrit Aleksandër Meksi, ka dalë sot publikisht në ekran me deklarata të forta, duke folur si për kërcënimet ndaj tij, ashtu edhe për një rrjet të dyshuar interesash që lidhen me tendera, institucione shtetërore dhe lojëra fati.
Në një dalje të pazakontë, ai jo vetëm denoncoi kërcënimet e përsëritura, por bëri edhe një rrëfim personal që, sipas tij, ka ndikuar në gjithë situatën.
Deklarata e plotë e Endri Meksit:
“Jeta ime private ka ndikuar tej mase dhe në klimën e MCN TV dhe unë për këtë arsye vendosa të dilja të flisja. Dje kur u ripërsërit incidenti i darkës unë vura re fytyrat e shqetësuara të kolegëve që ishin në televizor, pak a shumë ishte ndërrim turni ora tetë pa një minutë. Shqetësimi i tyre me fytyrat e prera më bezdisi goxha, sepse, pavarësisht se unë e kam marrë me sportivitet dhe me pak humor gjithë këtë eksperiencë të tre viteve të fundit, gjykova që tashmë kupa është derdhur.
Pra ky skenar, që kam zgjedhur që të rrjedhin gjërat se ndoshta do të zbardhen rrugës, ndoshta nuk ishte më momenti për ta bërë sepse tashmë ndikohet totalisht puna juaj. Unë e vlerësoj shumë punën e pavarësinë tuaj, të të gjithëve bashkë, ju më njihni prej kaq e kaq vitesh tanimë, sa herë ju ndërhyj dhe sa herë ju bezdis. Dhe në këtë sens u ndjeva shumë i trishtuar që ju vuani nga fëlliqësirat e mia.
Unë për tre vite rresht kam pasur një marrëdhënie jashtëmartesore me një kolege të punës këtu që ju të gjithë e njihni, po asnjëri prej jush nuk ka folur asnjëherë. Marrëdhënia ime ka shkuar shumë keq dhe kjo marrëdhënie u prish në vitin 2025. Ajo mbaroi në nëntor-dhjetor 2025, kur janë edhe përplasjet më të mëdha.
Unë nuk e di cili është shkaku, ndaj e referova edhe në prokurori disa emra dhe ta bëjë punën prokuroria.”
Meksi la të kuptohet se edhe kjo marrëdhënie mund të jetë përdorur si mjet presioni ndaj tij.
Dhuna, presioni dhe pasojat personale:
“Do përpiqem të bëj transparencë sa më të madhe pa lënduar njerëz privatë sepse mund të jem komplet gabim. Kam lënduar gruan time, me të cilën tashmë kam bërë divorcin para 10 ditëve për shkak të fajeve të mia, dhe ajo s’ka pse të marrë kosto të mëtejshme në jetën e saj.
Është dhunuar ime më nga persona pranë familjes së ish-partneres dhe të gjitha këto i kam referuar te njoftimi i sotëm i prokurorisë së Tiranës.
Mekanizmat e përdorur janë ‘fëlliqja’. ‘Do të diskreditojmë’, ‘do të fëlliqim’, në formë konstante nga gushti në shtator.”
Akuza për klane, tendera dhe institucione:
Meksi ngriti akuza të drejtpërdrejta për përfshirje të strukturave shtetërore në interesa të mëdha ekonomike.
Ai përmendi konkretisht Gerond Mece, duke sqaruar se nuk ka qenë partner me të, por vetëm bashkëpunëtor.
Ndërkohë, ai përmendi edhe emra të tjerë të lidhur, sipas tij, me skemat e tenderave të AKSHI-t, si Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri, të cilët, sipas pretendimeve të tij, janë kthyer në kompanitë kryesore me të cilat operon ky institucion.
Ai përmendi gjithashtu edhe Mark Beqiri, duke theksuar se njohja e tij me të ka ardhur vite më vonë dhe nuk lidhet me çështjen personale.
Deklarata për rolin e policisë dhe institucionet:
“Unë kam vazhduar të bëj gjithë detajet ligjore. Vazhdoj të bëj ankimime tenderash në formë konstante pa u bezdisur. U kam thënë kolegëve të mi të IT në MCN që mos u dorëzoni.
Policia e Tiranës, ky institucion kaq shumë i përfolur me lidhje me AKSHI-n dhe Ergys Agasin, zgjedh një tjetër sektor. Nuk zgjedh AKSHI-n, nuk zgjedh lojërat e fatit, por zgjedh ARRSH. Ky është një tjetër pisllëk që unë jam i detyruar ta denoncoj.
Ata duhet të hetojnë se kush në Policinë e Tiranës di kaq gjëra që edhe mund të jenë të vërteta, por askush nuk i nxjerr.”
Dyshimet për prapaskena dhe mungesë reagimi nga SPAK:
Meksi deklaroi se i ka referuar të gjitha të dhënat në SPAK, por nuk sheh zhvillime konkrete.
“Unë gjykoj se në mes janë lojërat e fatit dhe klanet e AKSHI-t. Nuk di nëse kam cenuar dikë… qofsha i gabuar. Le të na e thotë prokurorja që unë jam i gabuar.”
Dalja e tij publike ka ngritur pikëpyetje të forta mbi sigurinë e mediave, presionin ndaj gazetarëve dhe ndërthurjen e interesave politike, ekonomike dhe kriminale në Shqipëri.






