Berisha me akuza tronditëse
I nxjerr sheshit ‘të palarat’ ish-deputetit të PD-së
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka lëshuar akuza të forta ndaj ish-deputetit Ervin Salianji, duke deklaruar se ai nuk është më pjesë e PD-së dhe se është vetëpërjashtuar për shkak të lidhjeve që, sipas tij, ka krijuar me individë të përfshirë në aktivitete kriminale.
Gjatë një komunikimi virtual me qytetarët, Berisha u ndal gjatë te figura e Salianjit, duke e akuzuar për marrëdhënie me emra të njohur të botës së krimit, si dhe për afërsi me përfaqësues të mazhorancës. Sipas tij, këto lidhje e kanë nxjerrë jashtë rreshtit politik të Partisë Demokratike.
Në të njëjtën linjë, ai hodhi dyshime edhe mbi raportet e Salianjit me disa media në vend. Berisha pretendoi se një pjesë e tyre i kanë dhënë mbështetje të vazhdueshme ish-deputetit, duke e promovuar në mënyrë disproporcionale dhe duke shpërndarë lajme që, sipas tij, burojnë nga struktura pranë qeverisë.
“Mund të them unë ty, psh, se ka një televizion që e ka birësuar Salianjin, pronari e ka birësuar, i cili jep në 4 orë, 16 lajme Salianjin. Dhe i merr të gjitha, gazetarë shumë të mirë ka në atë televizion. I merr që të gjitha nga zyra e Ramës dhe kujdeset vetë, se ka shpresë do të rregullojë nëpërmjet Salianjit marrëdhëniet me Ramën dhe kujdeset vetë.
Por në fakt, përveç se në ndikimin e mafias së fjalës së lirë, të Edi Rama dhe puthadorëve të tij. Të siguroj unë që nuk ka një debat të pashëndetshëm brenda PD. Jo këta nuk kanë lidhje.
Po ky televizion vë etiketa, x, nënkryetari pa patur kurrë funksione. Shpif duke dëshmuar se janë një mafie e paskrupullt, mafie e turpshme që bëjnë gjithçka t’i shërbejnë qeverisë në mënyrë që mund të marrin disa favore.
Por këta janë të pashpresë. Salianji nuk është më prej kohësh pjesë e PD-së. Është i vetëpërjashtuar për shkak të lidhjeve që vendosi me krimin, me Suel Çelën, Ergys Agasin, Oltion Bistrin, etj. PD është ndarë në mënyrë përfundimtare me Edi Rama dhe rrethin e tij kriminal”, deklaroi Berisha.
Deklaratat e fundit tregojnë një përshkallëzim të mëtejshëm të përplasjes brenda opozitës, ku akuzat personale dhe politike mes figurave kryesore të saj po bëhen gjithnjë e më të forta, duke reflektuar një klimë të tensionuar në prag të zhvillimeve të rëndësishme politike.






