Raporti europian
Një raport i përgatitur për institucionet e Bashkimit Europian ka ngritur shqetësime mbi lëvizje të konsiderueshme kapitale nga Shqipëria drejt disa vendeve perëndimore, përfshirë Britaninë e Madhe, Spanjën dhe Luksemburgun. Sipas dokumentit, një pjesë e madhe e këtyre fondeve janë kanalizuar drejt tregjeve financiare të Londrës, e cila përmendet si një nga destinacionet kryesore.
Raporti vëren se transferimet e kapitaleve përkojnë në kohë me intensifikimin e hetimeve të Strukturës së Posaçme Antikorrupsion (SPAK) ndaj zyrtarëve të nivelit të lartë në Shqipëri. Ky sinkronizim kohor ka nxitur dyshime se një pjesë e fondeve mund të jenë zhvendosur për të shmangur presionin e shtuar hetimor.
Sipas të dhënave të përfshira në dokument, fondet janë transferuar përmes formave të ndryshme, duke përfshirë likuiditete bankare, investime financiare si dhe struktura offshore, të cilat e vështirësojnë gjurmimin e origjinës së kapitalit. Raporti thekson se këto mekanizma përdoren zakonisht për të maskuar burimin real të fondeve dhe për të reduktuar transparencën.
Përveç vendeve të Bashkimit Europian, dokumenti sinjalizon se kapitale me origjinë nga Shqipëria janë identifikuar edhe në tregje jashtë kontinentit, përfshirë disa shtete të Azisë dhe Lindjes së Mesme, duke sugjeruar një shtrirje më të gjerë të lëvizjes së fondeve.
Deri në këto momente, autoritetet shqiptare nuk kanë reaguar zyrtarisht lidhur me gjetjet e raportit, ndërsa pritet nëse institucionet përgjegjëse do të japin sqarime mbi natyrën dhe ligjshmërinë e këtyre transferimeve financiare.






