Krifca në SPAK për dosjen IPARD, hetimet intensifikohen për abuzimet me fondet
Ish-ministrja e Bujqësisë, Frida Krifca, ka dëshmuar për disa orë në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), në kuadër të hetimeve për abuzimet e dyshuara me fondet e programit IPARD.
Seanca e marrjes në pyetje është zhvilluar të martën, më 17 mars, ndërsa Krifca është marrë në pyetje në cilësinë e personit që ka dijeni mbi rrethanat e çështjes. Dosja po hetohet nga prokurori Klodian Braho, i cili ka intensifikuar veprimet hetimore në këtë fazë.
Më herët në SPAK është paraqitur edhe Reni Ashiku, një nga bashkëpunëtorët më të afërt të ish-ministres, për t’u marrë në pyetje lidhur me të njëjtën çështje.
Burime pranë organit të akuzës bëjnë me dije se hetimi po trajtohet me prioritet, ndërsa paralelisht me dëshmitë, prokuroria po grumbullon prova të tjera që lidhen me skemën e dyshuar të abuzimeve me fondet e IPARD.






