Ka hyrë sërish në fuqi këtë të premte marrëveshja për lëvizjen e lirë kufitare mes Kosovës dhe Shqipërisë, duke sjellë lehtësim të ndjeshëm për qytetarët që kalojnë kufirin gjatë sezonit të lëvizjeve të shtuara.

Marrëveshja do të qëndrojë aktive deri në muajin tetor dhe pritet të rikthehet sërish në fuqi gjatë muajve dhjetor dhe janar, si edhe në fundjava, për të përballuar fluksin e lartë të udhëtarëve.

Në thelb të saj është eliminimi i pritjeve të gjata në kufi, përmes procedurave të përshpejtuara. Kalimi i qytetarëve realizohet pa kontrolle të detajuara të dokumenteve identifikuese, përveç rasteve kur ka dyshime të arsyeshme, çka ka ndikuar drejtpërdrejt në rrjedhshmërinë e qarkullimit.

Efektet janë reflektuar menjëherë në terren. Vetëm gjatë orëve të para të ditës së sotme, rreth 15 mijë shtetas kanë hyrë në territorin shqiptar, ku pjesa dërrmuese vinin nga Kosova.

Për të përballuar këtë fluks, në Pikën kufitare të Morinës janë vënë në funksion 11 sportele, duke garantuar kalim të shpejtë dhe pa vonesa.

Të dhënat zyrtare tregojnë se gjatë 24 orëve të fundit kanë kaluar rreth 37 mijë qytetarë në këtë pikë kufitare, prej të cilëve rreth 25 mijë kanë hyrë në Shqipëria.