Gazetari Ferdinand Dervishi ka ngritur alarmin për një tjetër kërcënim serioz ndaj pronarit të MCN TV, në një kohë kur ende nuk janë identifikuar autorët e incidentit të 10 marsit në Tirana, ku CEO i televizionit, Endri Meksi, u përball me persona të maskuar pranë ambienteve të medias.

Sipas Dervishit, përsëritja e një ngjarjeje të tillë, ndërkohë që rasti i parë është ende në hetim, përbën një sinjal alarmi për sigurinë publike dhe funksionimin e shtetit ligjor. Ai ngre pikëpyetje të forta mbi mungesën e masave konkrete nga Policia e Shtetit për mbrojtjen e një institucioni mediatik dhe drejtuesit të tij.

Gazetari thekson se vendosja e një patrulle policie pranë ambienteve të televizionit do të kishte shërbyer si element parandalues, në një moment kur rreziku konsiderohet i lartë. Në reagimin e tij publik, ai shpreh dyshime mbi efektivitetin e hetimeve dhe mungesën e reagimit institucional.

Një nga elementët më të fortë që ngre Dervishi është largimi i një patrulle policie që, sipas tij, ishte e pozicionuar prej kohësh përballë ambienteve të MCN TV, pikërisht pak para ndodhjes së ngjarjeve – një rrethanë që kërkon sqarim zyrtar.

Në reagimin e tij në rrjetet sociale, ai shkruan:

“Kërcënohet sërish pronari i MCN

Shteti hesht, i gjithi

Për së dyti, njerëz me maska futen në ambientet e TV MCN dhe tentojnë të dhunojnë, apo më keq akoma, pronarin Endri Meksi.

Pra, ndërkohë që ngjarja e parë, e datës 10 mars 2026, hetohet zyrtarisht, ndërkohë që njerëzit me maska presupozohet të ndiejnë peshën e hetimit dhe kërkimit nga policia, ngjarja përsëritet.

Në 30 vite gazetar nuk e kam parë ndonjëherë shtetin kaq të pazotë dhe të lodhur.

Në vitin 2000, domethënë para 26 vitesh, në një rast të ngjashëm, shteti e ktheu Tiranën përmbys se u goditën gazetarët.

Sot, në 2026, duhet të presin që të tundë këmbën Kryeministri, sepse vetëm kështu janë përshtatur të funksionojnë?

Turp!”

Sipas të dhënave, incidenti i parë ndodhi më 10 mars, rreth orës 23:00, kur tre persona të maskuar, të armatosur dhe të pajisur me shkopinj bejsbolli, mbërritën me një automjet tip “Audi” të bardhë pranë ambienteve të MCN TV. Ata kërcënuan drejtuesin e televizionit dhe më pas u larguan me shpejtësi në drejtim të zonës së Saukut.

Për ngjarjen është bërë kallëzim nga vetë Endri Meksi, ndërsa policia ka sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë nga zona dhe bizneset përreth, në përpjekje për identifikimin e autorëve. Megjithatë, deri më tani nuk raportohet për persona të ndaluar.

Ngjarja konsiderohet tejet serioze, pasi ka ndodhur pranë një institucioni mediatik, duke ngritur shqetësime të forta për sigurinë e gazetarëve dhe klimën e lirisë së medias në vend. Hetimet vijojnë.