
Deklarimi i plotë i Gerond Meçes në dosjen e SPAK për pengmarrjen për shkak të ankesave ndaj tenderëve të AKSHI-t
Rrëfimi i plotë i biznesmenit për pengmarrjen mafioze për shkak të ankesave ndaj tenderëve të AKSHI-t
Momente nga pengmarrja e biznesmenit Gerond Meçe, foto nga dosja e SPAK
Gerond Meçe, inxhinier elektronik dhe sipërmarrës në fushën e teknologjisë së informacionit, ka rrëfyer para hetuesve të SPAK detaje tronditëse mbi rrëmbimin e tij më 12 gusht 2025, një akt kriminal i organizuar me qëllim detyrimin për t’u tërhequr nga ankimimet ligjore kundër tenderëve publikë, kryesisht të zhvilluar nga AKSHI.
Profili dhe aktiviteti i biznesit
Meçe deklaron se është përfshirë në aktivitetin e kompanisë familjare që prej vitit 2003, ndërsa nga viti 2006 ka qenë ortak i vetëm dhe administrator i shoqërisë “Advanced Business Solutions” (ABS), me NIPT K21710002J.
Nga viti 2020, për arsye shëndetësore, është tërhequr nga administrimi aktiv, duke emëruar administratorë të tjerë, ndërsa në shkurt 2025 ia ka kaluar aksionet nënës së tij, për të shmangur problematika në procedurat e prokurimit.
ABS operon në fushën e teknologjisë së informacionit dhe merr pjesë si në tenderë publikë ashtu edhe privatë. Sipas Meçes, që nga viti 2016, shumica dërrmuese e tenderëve IT zhvillohen nga AKSHI, me përjashtim të disa institucioneve të sigurisë.
Ankimime masive dhe presioni i paligjshëm
Nga janari deri në korrik 2025, kompania ABS ka ankimuar rreth 20 procedura prokurimi, kryesisht në AKSHI, por edhe në institucione të tjera si KLGJ, UKT, Ministria e Brendshme, Ministria e Bujqësisë dhe Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve.
Ankimimet lidhen me procedura për sisteme softuerike dhe harduerike, përfshirë ndihmën ekonomike, biletimin elektronik të muzeve, sistemet e Policisë së Shtetit, mirëmbajtjen e thesarit, menaxhimin e çështjeve gjyqësore etj.
Rrëmbimi: “Jemi SPAK, duhet të vish me ne”
“Ka profesionin inxhinier elektronik dhe aktualisht punon me biznes privat. Mamaja e tij, në vitin 2002, ka hapur një kompani private, të cilës ai i është bashkuar në korrik të vitit 2003. Nga viti 2006 e në vijim është bërë ortak i vetëm dhe administrator i kompanisë ‘Advanced Business Solutions, ABS’, me NIPT K21710002J. Nga viti 2020, për arsye shëndetësore, u tërhoq nga administrimi dhe caktoi dy administratorë të tjerë, Eriksela Shuli dhe Shkëlqim Kerluku, të cilët vijojnë të jenë edhe aktualisht. Nga muaji shkurt i vitit 2025 i ka kaluar aksionet e kompanisë ‘ABS’ te mamaja e tij, për të shmangur probleme apo pengesa në prokurime të ndryshme.
Kompania ‘ABS’ ka aktivitet kryesor ofrimin e shërbimeve në fushën e teknologjisë së informacionit dhe punon si me sektorin privat ashtu edhe me sektorin shtetëror. Që nga viti 2016, pothuajse çdo tender në fushën e teknologjisë dhe informacionit zhvillohet nga AKSHI, me pak përjashtime, si për shembull tenderat që lidhen me sigurinë dhe mbrojtjen, pra ata të Ministrisë së Mbrojtjes, SHISH, disa të Ministrisë së Brendshme, si edhe institucionet e pavarura.
Lidhur me këto tenderime apo procedura, bën me dije se, së fundmi, konkretisht nga janari 2025 deri në korrik 2025, kompania ‘ABS’ është ankimuar në gati 20 procedura prokurimi ku ka marrë pjesë, kryesisht në AKSHI, por edhe në institucione të tjera si KLGJ, UKT etj. I kujtohet se disa nga këto procedura janë ‘Ndihma ekonomike’, që është procedurë për software dhe hardware për sigurimet shoqërore, ‘Biletimi, ticket’, që është sistemi i menaxhimit të biletave për muzetë, ‘Software për policinë’, që lidhet me menaxhimin ekonomik të programeve për Policinë e Shtetit, ‘Update dhe mirëmbajtja e software të menaxhimit të thesarit të shtetit’, ‘Menaxhimi për çështjet gjyqësore’, dy procedura të Ministrisë së Brendshme, dy procedura të Ministrisë së Bujqësisë, dy procedura të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve. Këto procedura të ankimimit mund të aksesohen edhe në faqen e APP dhe të KPP.
Lidhur me këto, deklaruesi pohon se më datë 12.08.2025 ka qenë në shtëpi deri rreth orës 10:30 paradite për shkak të një bisede telefonike pune. Më pas ka dalë nga banesa. Ka pasur me vete çantën e punës të markës MontBlanc, ngjyrë e zezë, me laptop Lenovo brenda, çantën e dorës të markës MontBlanc, ngjyrë e zezë, ku kishte brenda dy palë çelësa, çelësat e makinës Range Rover me targa AA695SF dhe mjetit Hyundai me targa AB028LB, çelësat e zyrës dhe të shtëpisë, një mbajtëse kartash krediti, si edhe aparatin celular Samsung Galaxy S24, mbajtës i numrit 06820xxxx.
Kur ka dalë nga pallati ku banon, makina e tij ka qenë e parkuar në rrugën pranë pallatit, përballë dadës ‘KEN’, automjet Hyundai me targa AB028LB. Në atë vend ka disa poste ndriçimi dhe rreth 25 metra më larg ndodhet muri rrethues i një biznesi, autoservis, lavazh.
Ka hapur nga distanca bagazhin e makinës dhe ka vendosur çantën e shpinës dhe çantën e dorës në bagazh. Në atë moment është afruar një automjet fuoristradë Land Rover Defender, ngjyrë e zezë, me sinjalistikë në dukje si polici dhe me targa shqiptare, të cilat në atë moment nuk i ka fiksuar, por më vonë ka parë se targa ka qenë ‘AC12JJY’.
Ndërkohë që automjeti ka lëvizur drejt tij, ai ka fiksuar një person në automjet, i cili e ka thirrur në emër, ‘Gerond Meçe’. Ky person kishte këto karakteristika: i gjatë rreth 1.85, trup mesatar, flokë të zeza të drejta, pa mjekër, i veshur me uniformë ngjyrë blu me krah të gjatë, si edhe jelek fosforeshent me mbishkrim BKH. Nuk ka dalluar shenja të veçanta. Ky person i ka thënë: ‘Jemi SPAK u, duhet të vish me ne, hyr në makinë’.
Në atë moment deklaruesi ka besuar se ishte SPAK dhe është bindur, pa krijuar pakënaqësi apo rezistencë, për shkak se ndodhej në oborrin e pallatit.
Në këtë moment, nga dera mbrapa ka dalë një person i dytë, i cili i ka hapur vendin për t’u futur brenda. Edhe ky nuk ka qenë i maskuar. Ishte trupmadh, i veshur me bluzë si ato të policisë, sipas perceptimit të deklaruesit. Më pas, brenda në makinë, ka parë se ky person mbante xhinse të zeza.
Kur personi i parë e thirri në emër, deklaruesi kishte shtypur butonin e bagazhit të makinës së tij, i cili automatikisht kishte filluar të mbyllej. Teksa bagazhi po mbyllej, deklaruesi është futur në sediljen e pasme, në mes, të automjetit Defender. Në atë moment ka hyrë edhe një person i tretë nga krahu i majtë i tij. Ky kishte veshje të ngjashme me personin e dytë, xhinse të zeza dhe bluzë si ato të policisë, trupmadh, pa maskë, me fytyrë të rrumbullakët, të cilin deklaruesi thotë se është në gjendje ta identifikojë lehtësisht.
Dy personat që kanë qenë mbrapa me të, personi i dytë dhe personi i tretë, kishin tatuazhe. Personi i dytë kishte tatuazh në pjesën e jashtme të dorës së djathtë, midis gishtit të madh dhe gishtit tregues, një tatuazh në formë si gërma ‘b’, i pambyllur plotësisht, me një pikë diku nga mesi. Personi i tretë kishte të tatuazhuar gjithë parakrahun e dorës së majtë me tatuazh bardh e zi.
Deklaruesi ka dëgjuar shoferin, i cili ishte me maskë, duke i folur personit të parë dhe duke i kërkuar të merrte dy çantat e deklaruesit nga bagazhi i makinës së tij. Personi i parë i ka marrë dhe i ka futur në automjet.
Pasi janë futur brenda, deklaruesi i ka pyetur: ‘Keni ndonjë letër, ju lutem, ma jepni’. Personi i parë, që ishte në vendin e pasagjerit para, i ka thënë se ishte i arrestuar dhe i ka thënë personit të dytë, në të djathtën e deklaruesit, t’i vinte prangat. Deklaruesi ka kërkuar sërish t’i jepnin dokumentet dhe të lejohej të telefononte familjen. Personi i parë i ka thënë se dokumentet do t’ia jepnin në komisariat, ndërkohë që makina ka lëvizur për të dalë nga oborri i pallatit.
Personat mbrapa kanë tentuar t’i vënë prangat, por fakti që personi i dytë nuk dinte t’i vendoste prangat dhe ka ndërhyrë personi i tretë, ka bërë që deklaruesi të dyshojë se këta nuk ishin punonjës siç u prezantuan.
Në momentin kur po i vinin prangat, deklaruesi u ka thënë: ‘O çuna, unë nuk jam kriminel’. Personi i dytë i ka thënë: ‘Ça the ti, ça the, kush është kriminel?!!’, ndërkohë që shoferi ka thënë: ‘Vini kapuçin’.
Teksa po dilnin nga parkimi i oborrit, deklaruesi ka parë babain e tij dhe në atë moment i kanë vendosur kapuç të zi në kokë. Këtu deklaruesi thotë se e ka kuptuar që personat nuk ishin nga SPAK.
Makina ka ndaluar për pak sekonda në semafor. Deklaruesi ka menduar se do vazhdonin drejt, ndërkohë që makina ka devijuar majtas. Ai i ka pyetur në cilin komisariat do ta çonin. Personi i parë i ka thënë: ‘Në komisariatin më të afërt’. Sipas deklaruesit, lëvizjet e makinës ishin në drejtim të Durrësit, çka i ka krijuar bindjen se nuk ishin policë. Deklaruesi u ka thënë: ‘Çuna, e mora vesh se çfarë jeni’.
Dhunë, kërcënime dhe armë
Gjatë rrugës, pengmarrësit i kërkojnë kodin e telefonit. Pas refuzimit, ai dhunohet fizikisht, i shtrëngohen prangat dhe i drejtohen me fjalët:
“Do bashkëpunosh, ndryshe ke plumbin në kokë.”
Të tre personat, përveç shoferit, nxjerrin armët e zjarrit dhe e kërcënojnë drejtpërdrejt.
Ultimatumi: tërhiqesh nga tenderat
Në një zonë të izoluar në fshatin Gracen, Meçes i tregohet një zarf me një tabelë Excel, ku listohen të gjitha procedurat e ankimimit të kompanisë së tij dhe statusi i tyre në KPP dhe Gjykatën Administrative.
Mesazhi ishte i qartë:
“Nuk kemi punë me lekët e tua. Do të tërhiqesh nga këto procedura.”
Ai detyrohet të komunikojë me administratorin e kompanisë, ndërsa pengmarrësit ndjekin në kohë reale procesin e tërheqjes nga sistemi elektronik.
Lirimi pas konfirmimit të tërheqjeve
Vetëm pasi pengmarrësit marrin konfirmimin se tërheqjet janë depozituar në sistem, Meçe lirohet rreth orës 16:20, pranë Bradasheshit.
Para se ta linin, i bëhet kërcënimi përfundimtar:
“Nëse denoncon, do të vrasim ty dhe familjen.”
Telefonin, laptopin dhe çantat nuk ia kanë kthyer as sot.
Dyshimet për lidhje institucionale
Meçe shpreh dyshime serioze se pengmarrja është organizuar nga Ermal Beqiri, duke argumentuar se pas çdo ankimi të kompanisë së tij, fituese rezultojnë kompani të lidhura drejtpërdrejt ose indirekt me këtë shtetas.
Ai hedh gjithashtu dyshime për ndikim të paligjshëm brenda Komisionit të Prokurimit Publik (KPP), duke përmendur emra konkretë dhe vendime të përshpejtuara, në kundërshtim me ligjin.
Rrëmbimi i Gerond Meçes nuk ishte grabitje, por një akt presioni mafioz për të kontrolluar
tenderët publikë, duke përdorur frikën, dhunën dhe simbolikën e shtetit.






