Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka folur lidhur me aksionet e policisë ndaj “call center”-ave në Tiranë.
Ai ka hedhur akuza të forta ndaj qeverisë, duke e cilësuar Tiranën si “kryeqytetin e vjedhjeve shtetërore të qyteteve evropiane”. Berisha shprehet se në kryeqytet operojnë mbi 200 call center-a që funksionojnë pa ndërprerje.
“Tirana është sot qyteti që vjedh ditë e natë me mbi 200 call center-a, qytetarë kryesisht të BE-së, dhe të gjitha këto janë nën mbrojtje shtetërore”, tha ai.
Kreu i PD shton se në këtë aktivitet janë të përfshirë edhe zyrtarë. “Shefat e policisë kanë rroga 5–20 mijë euro në muaj nga grupet e call center-ave”, deklaroi ai.
Berisha bëri edhe akuza konkrete, duke përmendur emrin e Olsi Ramës. “Peshku i madh i call center-ave, Olsi Rama, është padroni i tyre”, tha kryedemokrati.
Sipas tij, përfitimet nga ky aktivitet arrijnë shifra shumë të larta. “Fitimet me vjedhje shkojnë deri në 300 milionë në muaj”, u shpreh Berisha ndërsa shtoi se autoritetet shqiptare nuk ndërhyjnë pa përfshirjen e partnerëve ndërkombëtarë.
Berisha e cilësoi situatën si një problem të rëndë institucional. “Ky është turpi dhe një veprimtari kriminale shtetërore”, tha ai, duke theksuar sërish se aktiviteti zhvillohet me miratimin e strukturave shtetërore.
“Tirana është kthyer në kryeqytetin e vjedhjeve shtetërore të qyteteve evropiane. Tirana është sot qyteti që vjedh ditë e natë me mbi 200 call center-a, qytetarë kryesisht të BE-së, dhe të gjitha këto janë nën mbrojtje shtetërore.
Shefat e policisë kanë rroga 5–20 mijë euro në muaj nga grupet e call center-ave. Peshku i madh i call center-ave, Olsi Rama, është padroni i tyre.
Fitimet me vjedhje shkojnë deri në 300 milionë në muaj, dhe autoritetet shqiptare në mënyrë absolute nuk kapin asnjë, po qe se nuk vijnë autoritetet e vendeve të vjedhura nga Shqipëria, si Franca, Zvicra, Italia e me radhë.
Ky është turpi dhe një veprimtari kriminale shtetërore, pasi zhvillohet me lejen e plotë dhe miratimin e shtetit. Punonjës të shtetit janë aksionerë të fuqishëm në këto call center-a”, u shpreh ai.






