Kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, ka njoftuar rritjen e pagës minimale mujore në 920 euro, një shtesë prej 40 eurosh krahasuar me vitin e kaluar. Kjo rritje përkthehet në një përfitim vjetor që i afrohet gjysmës së një page mujore për punonjësit.
Vendimi përbën rritjen e gjashtë radhazi që prej vitit 2022, ndërsa në total paga minimale ka shënuar një rritje prej rreth 41.5% që nga viti 2019. Përveç nivelit bazë të pagës, ndryshimet prekin edhe skemat e vjetërsisë në punë, pagat në sektorin publik si dhe disa përfitime të tjera shtesë.
Gjatë njoftimit, Mitsotakis theksoi se në një periudhë sfiduese për ekonominë globale, stabiliteti dhe uniteti i brendshëm mbeten elementë kyç për forcën dhe ndikimin e vendit.
“Fuqia për të dalluar thelbësoren nga dytësorja në një botë që ndryshon me shpejtësi, është ajo që duhet të udhëheqë vendin tonë,” u shpreh ai.
Rritja e pagës minimale do të hyjë në fuqi më 1 prill, ndërsa qeveria greke synon që deri në vitin 2027 kjo pagë të arrijë në 950 euro.
Sipas autoriteteve, përfitimi është edhe më i madh për punonjësit nën moshën 30 vjeç, falë lehtësive fiskale dhe përjashtimeve të caktuara nga taksat. Po ashtu, rritja e pagës minimale ndikon zinxhir në rritjen e disa përfitimeve sociale dhe niveleve të pagave si në sektorin publik, ashtu edhe në atë privat.
Nga ky vendim pritet të përfitojnë drejtpërdrejt edhe mijëra emigrantë shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Greqi.






