Nga Amarildo Stoica
Si u shpërdoruan dhjetëra miliona euro para sekuestrimit të Integrated Energy BV SPV
Në maj të vitit 2023, kryeministri Edi Rama deklaroi me krenari se projektet e incineratorëve ishin “vepra të rëndësishme”, duke pretenduar se po shpëtonin qytetarët nga helmet. Por realiteti është krejt ndryshe. Incineratori i Tiranës, për të cilin janë paguar qindra milionë euro nga taksapaguesit shqiptarë, është kthyer në një mal gjigand plehrash dhe një gropë të thellë financiare.
Sipas bilancit të vitit 2023 të kompanisë Integrated Energy BV SPV, para sekuestrimit të saj nga SPAK-u, aksionerët arritën të tërheqin miliona euro në formën e “huave” dhe “parapagimeve”, duke lënë pas detyrime të papaguara në Tatime dhe banka. Ky skenar ngre alarmin se fatura e kësaj afere do të rëndojë sërish mbi xhepat e qytetarëve.
47 milionë euro që mund të mbeten barrë për shqiptarët
Sipas analizës financiare të bilancit, gjysma e aktiveve të kompanisë, rreth 2.4 miliardë lekë (24 milionë euro), janë të drejta që me gjasa nuk do të arkëtohen kurrë. Ndërkohë, detyrimet arrijnë në 2.3 miliardë lekë (23 milionë euro), duke krijuar një gropë financiare prej 47 milionë eurosh që rrezikon të mbulohet nga shteti, pra nga taksapaguesit shqiptarë.
Kompania, e cila menaxhon landfillin e Sharrës, ka realizuar fitime të majme ndër vite, por paratë janë zhdukur nëpër skema të dyshimta financiare. Në bilanc figuron se vetëm në vitin 2023 kompania ka realizuar të ardhura prej 15 milionë eurosh dhe një fitim neto prej 6.1 milionë eurosh, me një normë fitimi prej gati 40%. Ky përqindje është jashtë çdo logjike normale ekonomike, duke ngritur dyshime të forta mbi mënyrën se si janë mbledhur dhe menaxhuar këto fonde.
Skema e përvetësimit: 15 milionë euro të zhdukura dhe borxhe miliona euro në Tatime
Dokumentet financiare zbulojnë se aksionerët e Integrated Energy BV SPV kanë tërhequr nga kompania mbi 15 milionë euro, duke i regjistruar si ‘parapagime’ për punime të supozuara që nuk janë kryer.
Ndërkohë, detyrimet ndaj shtetit dhe bankave janë lënë të papaguara, duke krijuar një borxh total prej:
• 5.4 milionë euro ndaj Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, për shkak të mospagesës së TVSH-së dhe Tatimit mbi Fitimin.
• 9 milionë euro kredi të pashlyera nga dy banka, të cilat tashmë rrezikojnë të mbulohen nga buxheti i shtetit.
• 5.7 milionë euro borxhe të tjera ndaj kompanive për punime të kontraktuara dhe të papaguara.
Në bilancet financiare figuron edhe një tjetër skemë: kompania Integrated Technology Services, në pronësi të biznesmenit të arratisur Klodian Zoto, ka marrë parapagime prej 1.2 miliardë lekësh (rreth 12 milionë euro) për punime që nuk janë realizuar kurrë.
Incineratori i Tiranës: Një mega-aferë që mund të arrijë mbi 200 milionë euro
Deri më tani, për ndërtimin dhe operimin e tre incineratorëve në Shqipëri (Tiranë, Elbasan dhe Fier) janë paguar të paktën 200 milionë euro nga buxheti i shtetit. Por në rast se kompania Integrated Energy BV SPV do të kalojë nga sekuestro preventive në konfiskim të plotë, taksapaguesve do t’u duhet të paguajnë edhe kreditë bankare, faturat e pashlyera dhe tatimet e papaguara.
Kjo aferë, e cila tashmë është cilësuar si një nga skemat më të mëdha të mashtrimit financiar në historinë e Shqipërisë, ka përfshirë një sërë ish-zyrtarësh të lartë të qeverisë dhe bashkisë Tiranë. SPAK ka akuzuar 13 zyrtarë për korrupsion dhe shpërdorim detyre, mes të cilëve:
• Ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka
• Ish-deputeti i PS, Alqi Bllako
• Ish-drejtori i Bashkisë së Tiranës, Taulant Tusha
Në korrik 2024, SPAK lëshoi tetë urdhër-arreste të tjera për pastrimin e rreth 20 milionë eurove përmes faturave fiktive nga incineratori i Tiranës. Por, deri më tani, asnjë nga të dyshuarit nuk është arrestuar.
Drejt një ‘falimentimi të qëllimshëm’?
Bilanci financiar i Integrated Energy BV SPV sugjeron një skemë të organizuar për shpërdorimin e fondeve publike. Me një kapital fillestar qesharak prej vetëm 1 mijë euro, kompania ka arritur të fitojë kontrata miliardëshe dhe të përfitojë mbi 120 milionë euro të ardhura nga shteti dhe kompanitë private. Ndërkohë, pronarët e saj dhe kompanitë e lidhura kanë marrë dhjetëra milionë euro në parapagime dhe hua, duke lënë pas borxhe të papaguara dhe një kompani që rrezikon të kalojë në falimentim, duke ia kaluar faturën përfundimtare qytetarëve shqiptarë.
Ndërsa incineratori i Tiranës mbetet një “fantazmë” e papërfunduar, qeveria dhe institucionet shtetërore heshtin. Nëse ky skandal nuk merr zgjidhje, shqiptarët do të paguajnë jo vetëm për një projekt të dështuar, por edhe për pasojat financiare që kanë lënë pas ata që e kanë menaxhuar. Dhe për një herë të fundit, pyetja që mbetet është: Kush do të mbajë përgjegjësi?





