Çfarë ndodhi me votën e Hodajt për Brahon?
Zgjedhja e Klodian Brahos si kreu i ri i SPAK, me 7 vota pro në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, ngre hijen e dyshimit mbi mundësinë e një konflikti interesi brenda procesit. Vëmendja është përqendruar tek vota e anëtarit të KLP-së, Zeqir Hodaj, i cili ishte pikërisht vota e shtatë për Brahon.
Dyshimet lindin për faktin se djali i Hodajt, Ditmir Hoda, është pranuar në BKH si agjent hetimor vetëm pak javë më parë, në një proces ku Klodian Braho ka qenë pjesë e komisionit të vlerësimit. Edhe pse më vonë Braho ka deklaruar se është “tërhequr” nga komisioni, dokumentet tregojnë se ai ka qenë i pranishëm në fazën e vlerësimeve, ndërsa në momentin e firmosjes së rezultateve ka pretenduar se ka hequr dorë.
Më herët, Hodaj vetë kishte deklaruar publikisht se nuk do të votonte për kandidatët e SPAK-ut, pikërisht për të shmangur konfliktin e interesit. Por sot, ndryshe nga ajo deklaratë, ai jo vetëm mori pjesë, por votoi pro Brahos.
Vetë Hodaj kishte deklaruar: “Unë nuk gjendem në kushtet e heqjes dorë nga kjo situatë, kërkoj t’i jepet kohë Këshillit dhe vetes për të marrë një vendim. Vlerësoj që duhet të largohem nga zhvillimi i seancës për këtë çështje. Edhe pse çështje formale, duhet të largohem nga votimi për një proces të rregullt ligjor.”
Megjithatë, veprimi i tij i sotëm bie ndesh me këtë qëndrim. Kjo rrethanë ka ngritur pikëpyetje të forta mbi transparencën dhe etikën e votimit, sidomos për faktin se punësimi i djalit të Hodajt në BKH është vlerësuar nga Braho si kryetar komisioni, së bashku me prokurorët Sotir Kllapi dhe Dorina Bejko.
Ky veprim, ndonëse mund të mos ketë pasur ndikim vendimtar në rezultatin final, ngre dyshime serioze se votat në KLP po ndikohen nga favorizime paraprake, punësime familjarësh dhe interesa të ndërsjella institucionale. Me pak fjalë, “pazaret e drejtësisë së vjetër” duket se po rikthehen nën petkun e drejtësisë së re.
Për Klodian Brahon votuan: Olger Eminaj, Moisi Duda, Mirela Bogdani, Ledina Harizaj, Erind Gërmenji, Arta Mandro dhe Zeqir Hodaj./Mashqip








