Një histori që nis në TikTok dhe përfundon me kërcënime për fëmijët, përndjekje dhe pretendime absurde për rroba.

40-vjeçarja nga Elbasani, Silva, denoncon ish-partnerin e saj për kërcënime të vazhdueshme, përndjekje dhe presion psikologjik, që sipas saj ka përfshirë edhe fëmijët e saj.

Historia mes Silvës dhe Besimit nisi në rrjetin social TikTok, ku ai i shkruante vazhdimisht, deri në momentin që arriti ta gjente edhe fizikisht.

Pas një periudhe komunikimi, ata nisën bashkëjetesën, madje udhëtuan edhe jashtë vendit për punë sezonale. Në fakt Silva ishte e martuar asokohe dhe nënë e tre fëmijëve, por përtej kësaj ajo u nda nga bashkëshorti për të krijuar një jetë të re me Besimin.

Sipas saj, marrëdhënia vazhdoi mirë për disa muaj, por nisi të përkeqësohej kur ajo zbuloi se partneri kishte lidhje paralele me gra të tjera.

Pas konflikteve të vazhdueshme, Silva vendosi të largohej dhe të rikthehej pranë familjes së saj. Por kjo nuk i dha fund historisë, pasi ajo pretendon se pas ndarjes, Besimi ka nisur një “fushatë” të vazhdueshme kërcënimesh ndaj saj dhe familjes.

Sipas dëshmisë, kërcënimet kanë qenë të rënda, duke synuar pikërisht fëmijët e saj, çka e ka bërë situatën edhe më të rëndë emocionalisht.

Duhet sqaruar se gjatë kohës që jetonin bashkë, çifti kishte marrë një kredi në emër të Silvës për të emigruar në Gjermani, por pretendon se ish-partneri nuk ka kontribuar në shlyerjen e saj.

Madje, ai shpenzonte para për njohje virtuale me gra të tjera.

Përveç kërcënimeve, një pjesë e konfliktit është zhvendosur edhe në kërkesa që duken absurde.

Besimi ka kërkuar që Silva t’i kthejë rrobat që i kishte blerë, sendet personale, madje edhe të brendshmet.

Silva pretendon gjithashtu se ish-partneri ka pasur sjellje të ngjashme edhe ndaj grave të tjera, përfshirë kërcënime dhe shantazh me materiale private.

Në një përballje mes tyre, Silva i ka dorëzuar sendet që ai pretendonte, përfshirë edhe valixhet me rroba. Megjithatë, ajo shprehet se nuk beson që kjo do t’i japë fund përndjekjes./ Piranjat