Policia e Shtetit ka vënë në pranga një shtetas të shpallur në kërkim ndërkombëtar, i dënuar në Itali për përfshirje në organizatë kriminale dhe trafik të lëndëve narkotike.

Bëhet fjalë për Sokol Bushpepën (i njohur edhe si Kol Bushpepa), 45 vjeç, i cili u arrestua në Vasil Shanto, në kuadër të operacionit të koduar “Operacionalja 92”.

Sipas njoftimit zyrtar, arrestimi u realizua nga strukturat e Forcës së Posaçme Operacionale, pas sigurimit të informacioneve të detajuara operative. Bushpepa ishte shpallur në kërkim nga Interpol Roma, pasi ishte dënuar nga Gjykata e Apelit në Itali me 5 vite, 3 muaj e 10 ditë burgim. Nga ky dënim, atij i kanë mbetur për të vuajtur edhe mbi 4 vite heqje lirie.

Aktualisht, autoritetet shqiptare kanë nisur procedurat për ekstradimin e tij drejt Italisë, në bashkëpunim me organet e drejtësisë italiane.

Sipas raportimeve të mediave italiane, Bushpepa konsiderohet një figurë kyçe në një rrjet kriminal shqiptar të përfshirë prej vitesh në trafikun e narkotikëve, kryesisht në zonat e Mestres dhe Venecias. Ky rrjet dyshohet se ka operuar si një strukturë e mirëorganizuar, duke kaluar nga trafiku i marijuanës tek drogat e forta, përfshirë kokainën.

Më tej, mediat italiane pretendojnë se grupi ka ndërtuar një rrjet të qëndrueshëm furnizimi, duke bashkëpunuar drejtpërdrejt me kartelet në Amerikën Latine, ndërsa ka arritur të zgjerojë aktivitetin edhe në fusha të tjera për pastrim parash, përfshirë sektorin e akomodimit.

Në këto raportime përmendet edhe konkurrenca dhe ndërveprimi me organizata të fuqishme kriminale si ‘Ndrangheta, duke sinjalizuar rritjen e ndikimit të grupeve kriminale shqiptare në tregun europian të narkotikëve.