Kompania ATOM shpallet fituese mes akuzave për garë fiktive
Tenderët e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) vijojnë të jenë në qendër të dyshimeve për paracaktim dhe ndikim të grupeve të fuqishme, ndërsa një sërë zyrtarësh, ish-zyrtarësh dhe biznesmenësh janë aktualisht nën hetim nga Prokuroria e Posaçme. Sipas burimeve për mediat, këta individë dyshohet se kanë vepruar në formën e një organizate kriminale, ndërkohë që praktikat e dyshimta duket se kanë vijuar edhe pas ndryshimeve në drejtimin e institucionit.
Pas largimit të Mirlinda Karçanajt, drejtimin e AKSHI-t e mori Igli Tafa, i cili më parë ka mbajtur postin e drejtorit të përgjithshëm të Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK). Ky institucion përmendet gjithashtu në dosjet e SPAK-ut për tendera me vlera të larta, të cilat, sipas raportimeve, nuk kanë prodhuar rezultate konkrete dhe nuk janë hetuar deri në fund për të çuar në masa sigurie.
Ndërkohë, mesa duke edhe në drejtimin e ri, vendimmarrjet për tendera vijojnë të jenë të paracaktuara. Një pjesë e këtyre procedurave kanë mbetur te AKSHI, pasi shumica e tyre tashmë janë transferuar te Operatori i Blerjeve të Përqendruara me vendim qeverie, për shkak të problematikave të mëparshme në këtë institucion.
Një nga rastet më të fundit lidhet me shpalljen e fituesit të një tenderi për mirëmbajtjen e regjistrave profesionalë mjekësorë, ku fituese është shpallur kompania ATOM, në pronësi të Luan Bashës dhe Armand Agollit.

Sipas burimeve brenda institucionit, fituesi i këtij tenderi ishte i parashikuar që në fillim, për shkak të lidhjeve të pretenduara mes pronarëve të kompanisë dhe anëtarëve të komisionit të vlerësimit të ofertave. Këto lidhje janë denoncuar edhe më herët në media dhe, nëse provohen nga organet ligjzbatuese, mund të çojnë në një tjetër dosje për hetim nga SPAK.
Tenderi në fjalë ka si objekt “mirëmbajtjen e regjistrave profesional mjekësor (infermieri, mjeku, stomatologu, farmacisti)” dhe financohet nga buxheti i shtetit. Kontrata parashikon një kohëzgjatje prej 24 muajsh nga momenti i nënshkrimit, ndërsa fondi limit është 50,270,220 lekë, ose rreth 520 mijë euro.
Në garë, kompania ATOM ka paraqitur një ofertë prej 44 milionë lekësh. Ndërkohë, dy kompani të tjera nuk kanë paraqitur ofertë ekonomike, ndërsa bashkimi i operatorëve “Ovla” dhe “Kreatx” ka ofruar 56 milionë lekë.
Sipas të dhënave financiare të kompanisë ATOM, rezulton se ajo ka shënuar fitime të konsiderueshme, ku duket se dy pronarët e saj, Luan Basha dhe Armand Agolli, e kanë kthyer firmën në një “minierë” ari.
Sipas bilanceve të publikuara për vitin 2025, kompania ka realizuar një fitim prej 72 milionë lekësh, të cilat janë shpërndarë në formë dividenti për dy pronarët.

Këto shifra e vendosin ATOM-in në të njëjtin nivel me kompani të tjera që përmenden në dosjet e SPAK-ut për qarkullime të mëdha financiare.
Në rast se do të ketë hetime të mëtejshme nga organet kompetente, mbetet për t’u parë se si janë gjeneruar këto të ardhura dhe ku kanë përfunduar fondet e përfituara.






