Bashkimi Evropian ka reaguar zyrtarisht lidhur me mosshqyrtimin nga Kuvendi të kërkesës së SPAK për heqjen e imunitetit të zëvendëskryeministres Belinda Balluku, e cila ndodhet e pezulluar nga detyra me vendim të Gjykatës së Posaçme të lënë në fuqi edhe nga Gjykata Kushtetuese.
Në një qëndrim të bërë publik për një media shqiptare, Komisioni Evropian i kërkon Kuvendit të Shqipërisë që të trajtojë pa vonesë kërkesën për imunitetin e ministres së Infrastrukturës, duke theksuar se lufta kundër korrupsionit mbetet thelbësore për rrugën e vendit drejt Bashkimit Evropian.
Sipas zëdhënësit të Komisionit Evropian, është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e Kuvendit që të shqyrtojë në kohë kërkesat për heqjen e imunitetit të anëtarëve të tij. Institucioni evropian nënvizon se një luftë efektive kundër korrupsionit është një kusht kyç për avancimin e Shqipërisë në procesin e integrimit dhe përmbushjen e pritshmërive të qytetarëve.
Brukseli shpreh gjithashtu shqetësim për çdo tentativë ndërhyrjeje apo presioni të padrejtë ndaj sistemit të drejtësisë, duke paralajmëruar se veprime të tilla mund të ndikojnë negativisht në progresin e vendit drejt anëtarësimit. Sipas Komisionit, sundimi i ligjit dhe pavarësia e gjyqësorit mbeten elementë themelorë të negociatave të anëtarësimit.
Komisioni Evropian ka bërë të ditur se do të vijojë të monitorojë nga afër zhvillimet dhe të mbështesë forcimin e institucioneve të drejtësisë në Shqipëri, në kuadër të reformës në drejtësi dhe procesit të integrimit evropian. Në raportet e fundit për vendin është theksuar se, megjithëse qëndrueshmëria e sistemit gjyqësor ka shënuar përmirësime, ndërhyrjet e mundshme politike ndaj drejtësisë mbeten një shqetësim serioz që kërkon adresim të vazhdueshëm.
Çështja pritet të diskutohet edhe në nivel institucional mes Brukselit dhe Tiranës. Në fillim të muajit mars do të zhvillohet mbledhja e radhës e Komitetit BE–Shqipëri për Drejtësinë, Lirinë dhe Sigurinë, ku një nga temat kryesore do të jetë ecuria e reformës në drejtësi dhe respektimi i parimeve të sundimit të ligjit.
Reagimi i Bashkimit Evropian vjen në një moment të tensionuar institucional në vend, ku përplasjet mes mazhorancës, institucioneve të drejtësisë dhe opozitës për çështjen Balluku vijojnë të mbeten në qendër të debatit politik.
Përgjigja e plotë e zëdhënësit të KE
Si e vlerëson Komisioni Evropian këtë përplasje institucionale që buron nga rasti i Zëvendëskryeministres Belinda Balluku, ku përfshihen SPAK, Kryeministria dhe Kuvendi?
Është përgjegjësi e Kuvendit të Shqipërisë të trajtojë pa vonesë kërkesat për heqjen e imunitetit të anëtarëve të tij. Lufta efektive kundër korrupsionit është e një rëndësie parësore për përparimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE, që është edhe pritshmëria e qytetarëve të saj.
A mendoni se përballja e qeverisë me institucionet e reja të drejtësisë e minon reformën në drejtësi dhe çfarë pasojash mund të ketë kjo për Shqipërinë?
BE i kushton rëndësi shumë të madhe sundimit të ligjit dhe pavarësisë së gjyqësorit në Shqipëri, si dhe punës së bërë në kuadër të reformës në drejtësi. Komisioni Evropian monitoron dhe raporton mbi përparimin në këtë fushë në kontekstin e negociatave të anëtarësimit në BE. Ne do të vazhdojmë të monitorojmë nga afër dhe të mbështesim konsolidimin e sundimit të ligjit dhe pavarësisë së gjyqësorit në Shqipëri, si pjesë e procesit të integrimit evropian të vendit.
A ka kjo përplasje institucionale kosto për rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian?
Në raportin e saj për Shqipërinë për vitin 2025, Komisioni vuri në dukje se, ndonëse qëndrueshmëria e gjyqësorit është përmirësuar në përgjithësi, përpjekjet e shtuara nga zyrtarë publikë ose politikanë për të ushtruar ndërhyrje dhe presion të padrejtë mbi sistemin gjyqësor mbetën një çështje shqetësuese serioze. Komisioni rekomandoi më tej që Shqipëria të forcojë llogaridhënien duke reduktuar ndërhyrjet politike në gjyqësor dhe në shërbimet e prokurorisë.
A ka pasur diskutime zyrtare në Bruksel lidhur me këtë çështje? Dhe a keni komunikuar me përfaqësues të qeverisë shqiptare ose institucioneve të drejtësisë për këtë situatë?
Institucionet e BE-së janë në dialog të rregullt me autoritetet shqiptare. Komiteti BE–Shqipëri për Drejtësinë, Lirinë dhe Sigurinë do të zhvillohet në fillim të marsit dhe do të shërbejë si një mundësi për të vijuar diskutimet mbi reformën në drejtësi në vend.






