Imuniteti i Ballukut, Rama thirret me urgjencë në Bruksel nga Antonio Costa
Teksa Gjykata Kushtetuese vijon të zvarrisë vendimmarrjen për çështjen e Belinda Ballukut, presioni ndërkombëtar ndaj kryeministrit Edi Rama duket se po rritet. Të hënën, kreu i qeverisë shqiptare do të udhëtojë drejt Brukselit për një takim me presidentin e Këshillit Europian, Antonio Costa.
Takimi, i cilësuar si i papritur dhe i palajmëruar më herët, zhvillohet në një moment delikat për qeverinë shqiptare, pas hetimeve të SPAK ndaj zëvendëskryeministres Belinda Balluku dhe refuzimit të mazhorancës për të dhënë autorizimin për arrestimin e saj.
Sipas burimeve në Bruksel, një nga temat kryesore të diskutimit pritet të jetë pikërisht çështja e imunitetit të Ballukut. Mesazhi që vjen nga qarqe europiane konsiderohet i qartë: qeveria shqiptare duhet të japë sinjale konkrete në mbështetje të pavarësisë së drejtësisë, përndryshe rrezikon përkeqësim të marrëdhënieve me institucionet europiane.
Në vitet e fundit, Edi Rama është paraqitur si një nga mbështetësit kryesorë të reformës në drejtësi. Megjithatë, zhvillimet e fundit – përfshirë çështjen Balluku dhe hetimet e lidhura me AKSHI-n – kanë ngritur pikëpyetje në Bruksel mbi qëndrueshmërinë e këtij angazhimi.
Ndërkohë, lëvizjet diplomatike janë intensifikuar. Këtë javë, Antonio Costa dhe presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, zhvilluan takime në Paris me presidentin francez Emmanuel Macron. Nuk dihet nëse situata në Shqipëri ka qenë pjesë e diskutimeve, por burime diplomatike flasin për një shqetësim në rritje lidhur me përplasjen mes qeverisë dhe SPAK.
Për Bashkimin Europian, ndërhyrjet apo tensionet me institucionet e drejtësisë konsiderohen vijë e kuqe dhe mund të ndikojnë drejtpërdrejt në ecurinë e procesit të integrimit. Nga ana tjetër, çdo përshkallëzim i situatës me Shqipërinë do të kishte pasoja më të gjera për strategjinë e zgjerimit në Ballkanin Perëndimor.
Zhvillimet e ditëve në vijim pritet të jenë vendimtare. Marrëdhëniet mes Tiranës dhe Brukselit duket se kanë hyrë në një fazë më të ftohtë dhe më të ndjeshme, ku çështja e imunitetit të Ballukut mund të kthehet në një provë serioze për angazhimin e qeverisë shqiptare ndaj reformës në drejtësi dhe objektivit të integrimit deri në vitin 2030.






