Ministri i Sportit i Iran, Ahmad Donyamali, ka deklaruar se kombëtarja iraniane nuk do të marrë pjesë në fazën finale të FIFA World Cup 2026, turne që do të zhvillohet në SHBA, Kanada dhe Meksikë nga 11 qershori deri më 19 korrik. Një vendim i tillë, nëse konfirmohet zyrtarisht, mund të shkaktojë një efekt zinxhir në kualifikimet dhe përbërjen e grupeve të turneut.

Sipas skenarëve që po diskutohen, nëse Irani tërhiqet nga kompeticioni, vendi i tij në fazën e grupeve mund t’i kalojë Irakut. Në këtë rast, Iraku do të përfshihej në Grupin G së bashku me Belgjikën, Zelandën e Re dhe Egjiptin.

Një ndryshim i tillë do të krijonte gjithashtu lëvizje të tjera në procesin e kualifikimeve. Nëse Iraku kalon direkt në fazën e grupeve të Botërorit, atëherë vendin e tij në play-off do ta merrte UAE (Emiratet e Bashkuara Arabe), që aktualisht pret të përballet me Bolivinë ose Surinamin për një biletë në turne.

Deklaratat e ministrit iranian janë bërë publike nga media gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung. Në raportim përmendet edhe reagimi i presidentit amerikan Donald Trump, i cili ka deklaruar se kombëtarja iraniane është e mirëpritur të marrë pjesë në turne pavarësisht tensioneve politike.

Në një intervistë për median shtetërore IRIB, ministri Donyamali e lidhi vendimin me përkeqësimin e marrëdhënieve mes Teheranit dhe Uashingtonit. Ai akuzoi SHBA-në për veprime armiqësore ndaj Iranit dhe tha se situata aktuale politike dhe ushtarake nuk lejon pjesëmarrjen e vendit në një kompeticion ndërkombëtar sportiv.

Sipas tij, vendi ka kaluar një periudhë shumë të vështirë gjatë muajve të fundit, duke përmendur përplasjet dhe konfliktet që, sipas autoriteteve iraniane, kanë shkaktuar mijëra viktima. Në këto rrethana, ministri theksoi se pjesëmarrja në një ngjarje të madhe sportive si Kupa e Botës nuk konsiderohet e mundshme.

Megjithatë, deri tani nuk ka një konfirmim zyrtar nga FIFA për një tërheqje të Iranit nga turneu, çka do të thotë se situata mbetet e hapur dhe mund të ndryshojë në varësi të zhvillimeve politike në muajt në vijim.