Çfarë parashikon plani i paqes me 10 pika për Ngushticën e Hormuzi
Irani ka pranuar propozimin e Pakistanit për një armëpushim dyjavor, duke hapur njëkohësisht rrugën për negociata me Shtetet e Bashkuara në Islamabad, pas presioneve intensive diplomatike dhe ndërhyrjes së fundit nga Kina.
Sipas raportimeve të New York Times, vendimi i Teheranit erdhi pas përpjekjeve të vazhdueshme të Islamabadit dhe thirrjes së Pekinit për fleksibilitet, në funksion të uljes së tensioneve në rajon.
Vendimi është marrë në një klimë shqetësimi në rritje për pasojat e mundshme ekonomike, sidomos për shkak të rrezikut ndaj infrastrukturës kritike energjetike.
Sipas tre zyrtarëve iranianë, armëpushimi është miratuar nga lideri i ri suprem, Mojtaba Khamenei.
Negociata dyjavore në Islamabad
Sekretariati i Këshillit të Lartë të Sigurisë Kombëtare të Iranit bëri të ditur se Teherani do të marrë pjesë në bisedime me palën amerikane në Islamabad për një periudhë dyjavore, bazuar ekskluzivisht në një plan me 10 pika.
Negociatat pritet të nisin të premten, më 11 prill, dhe mund të zgjaten me marrëveshje të përbashkët mes palëve.
Autoritetet iraniane theksojnë se pjesëmarrja në bisedime nuk nënkupton automatikisht përfundimin e luftës, duke nënvizuar se një marrëveshje finale do të arrihet vetëm pasi të përcaktohen të gjitha detajet.
Gjithashtu, theksohet se procesi zhvillohet në kushte mosbesimi ndaj palës amerikane, ndërsa u bëhet thirrje qytetarëve për unitet kombëtar gjatë kësaj periudhe kritike.
Plani me 10 pika, baza e negociatave
Irani pretendon se SHBA ka pranuar planin me 10 pika si bazë për negociata. Kushtet kryesore përfshijnë:
1-Angazhim për mosagresion
2-Kontrollin iranian mbi Ngushticën e Hormuzit
3-Njohjen e programit të pasurimit të uraniumit
4-Heqjen e të gjitha sanksioneve primare
5- Heqjen e të gjitha sanksioneve sekondare
6-Shfuqizimin e rezolutave të Këshillit të Sigurimit të OKB-së
7- Ndërprerja e të gjitha vendimeve të Bordit
8-Pagesën e kompensimeve ndaj Iranit
9-Tërheqjen e forcave amerikane nga rajoni
10-Ndërprerjen e luftimeve në të gjitha frontet, përfshirë Libanin
Presidenti i SHBA-së Donald Trump e ka përshkruar planin si një “bazë pune” për një marrëveshje.
Në të njëjtën kohë, Ministria e Jashtme iraniane deklaroi se nëse ndalen sulmet kundër vendit, forcat e armatosura iraniane do të ndalojnë operacionet e tyre mbrojtëse.
Për periudhën dyjavore, kalimi i sigurt nëpër Ngushticën e Hormuzit do të kryhet në koordinim me forcat e armatosura iraniane dhe duke marrë parasysh kufizimet teknike
Detaje të reja nga prapaskenat e marrëveshjes dyjavore të armëpushimit mes SHBA-së dhe Iran hedhin dritë mbi një proces të mbushur me tension, presion dhe negociata të ethshme, ku vendimtare rezultoi ndërhyrja e udhëheqjes iraniane.
Sipas një raporti të Axios, udhëheqësi i ri i Teheranit, Mojtaba Khamenei, dha sinjalin vendimtar duke udhëzuar negociatorët të lëviznin drejt një marrëveshjeje, për herë të parë që nga nisja e konfliktit. Burimet theksojnë se pa “dritën jeshile” të tij, marrëveshja nuk do të ishte arritur.
Në të njëjtën kohë, situata në terren ishte pranë përshkallëzimit. Forcat amerikane në rajon dhe Pentagoni po përgatisnin një fushatë të gjerë bombardimesh ndaj infrastrukturës iraniane, ndërsa aleatët në Lindjen e Mesme prisnin një hakmarrje të mundshme nga Teherani. Një zyrtar amerikan e përshkroi situatën si “kaotike”.
Negociatat u intensifikuan të hënën, kur i dërguari amerikan Steve Witkoff refuzoi një kundërpropozim iranian duke e quajtur atë “katastrofë”. Pas një dite të mbushur me rishikime dhe ndërmjetësime nga vende si Pakistani, Egjipti dhe Turqia, palët arritën në një draft të ri kompromisi.
Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, luajti rol kyç në menaxhimin e negociatave dhe në bindjen e strukturave të brendshme për pranimin e marrëveshjes, ndërsa edhe Kina këshilloi Iranin të kërkonte një rrugëdalje nga konflikti.
Megjithatë, edhe në momentet e fundit tensionet mbetën të larta. Presidenti amerikan Donald Trump lëshoi paralajmërime të forta, duke deklaruar se “një qytetërim i tërë mund të vdesë sonte”, ndërsa paralelisht zhvilloheshin telefonata intensive me aleatët. Zëvendëspresidenti J. D. Vance dhe kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ishin në komunikim të vazhdueshëm me Uashingtonin.
Pavarësisht presionit nga këshilltarët e linjës së ashpër për ta refuzuar marrëveshjen, Trump në fund e pranoi atë, pasi siguroi edhe angazhimin e Izraelit. Vendimi final u koordinua edhe me kryeministrin pakistanez Shehbaz Sharif dhe komandën ushtarake të Pakistanit.
Pas shpalljes së marrëveshjes, Irani konfirmoi se do t’i përmbahet armëpushimit dhe do të lejojë hapjen e Ngushtica e Hormuzit për transportin detar, në koordinim me forcat e tij të armatosura.






