Michel Claise, ish-gjyqtar dhe një nga figurat më të njohura në Belgjikë për luftën kundër korrupsionit dhe pastrimit të parave, ka deklaruar se rrjetet mafioze ndërkombëtare po përdorin Shqipërinë dhe Marokun si zona kyçe për pastrimin e parave kriminale.

Sipas tij, një pjesë e madhe e parave të përfituara nga aktivitetet kriminale po kanalizohen përmes investimeve në sektorin e turizmit në Shqipëri, veçanërisht përmes ndërtimit dhe menaxhimit të hoteleve.
Ai ka theksuar gjithashtu se i njëjti fenomen shfaqet edhe në Marok, ku pastrimi i parave realizohet përmes investimeve në pasuri të paluajtshme, duke e bërë tregun imobiliar një nga mekanizmat kryesorë të legalizimit të kapitaleve të dyshimta.
Në një prej deklarimeve të tij më të forta, Claise është shprehur:
“Mafiet pastrojnë para përmes hoteleve në Shqipëri dhe pasurive të paluajtshme në Marok.”
Ai ka shtuar se përvoja e tij si ish-magjistrat hetues e ka bërë të bindur se krimi i organizuar operon përmes strukturave të sofistikuara financiare që shfrytëzojnë boshllëqet ligjore dhe mungesën e kontrollit të fortë institucional.
Claise ka folur edhe për fuqizimin e krimit të organizuar me origjinë shqiptare në Evropë, duke e krahasuar ndikimin e tij me rrjete të tjera kriminale të konsoliduara prej kohësh në kontinent.
Ai ka paralajmëruar gjithashtu se zhvillimi i shpejtë i bregdetit shqiptar, i shoqëruar me investime të shumta në ndërtim dhe turizëm, po krijon terren të favorshëm për futjen e kapitalit me origjinë të dyshimtë, gjë që sipas tij rrezikon të ndikojë në mënyrë të drejtpërdrejtë strukturën ekonomike dhe urbanistike të zonave bregdetare.
Claise ka rikujtuar angazhimin e gjatë në luftën kundër krimit financiar, duke theksuar se:
“Kam shpresuar që ky projekt të realizohet për më shumë se 10 vjet.”
Ai ka shtuar se krijimi i strukturave të pavarura financiare është thelbësor për luftën kundër korrupsionit, duke kritikuar modelet ku institucionet hetimore mbeten nën kontroll politik ose administrativ.
Sipas tij, vetëm një prokurori financiare e pavarur mund të garantojë rezultate reale në luftën kundër ekonomisë kriminale, ndërsa çdo kompromis institucional ul efektivitetin e hetimeve.






