Dy shtetas shqiptarë, të dy me precedentë penalë për vepra të rënda, janë arrestuar nga autoritetet italiane gjatë një operacioni policor në Xhenova, teksa po lëviznin së bashku me automjet.

Operacioni u zhvillua pas një hetimi të detajuar, ndërsa ndaj tyre ekzistonin edhe urdhra të mëparshëm nga gjykata. Të ndaluarit janë të moshave 27 dhe 42 vjeç.

Sipas mediave italiane, 27-vjeçari ishte në kërkim për një sërë veprash penale që përfshijnë krime ndaj pronës dhe personit. Ai kishte shkelur vazhdimisht masat e vendosura nga gjykata dhe, vetëm pak ditë më parë, dyshohet se kishte kryer një grabitje ndaj një gruaje, përpara se të zhdukej pa lënë gjurmë.

Gjurmimi i tij u bë i mundur falë analizës së kamerave të sigurisë në qytet, çka çoi policinë në zonën e Prà, ku ai u lokalizua brenda një automjeti së bashku me një tjetër shqiptar.

Gjatë kontrollit, 42-vjeçari paraqiti dokumente identifikimi në emër të një shtetasi rumun, duke ngritur menjëherë dyshime tek oficerët. Verifikimet e mëtejshme përmes fotografive zbuluan identitetin e tij të vërtetë dhe faktin se edhe ai ishte në kërkim.

Rezulton se ndaj 42-vjeçarit ishte lëshuar një urdhër paraburgimi nga gjykata në muajin mars, ndërkohë që ai ishte në arrest shtëpie në provincën e Livornos, prej nga ishte arratisur.

Pas arrestimit, të dy shtetasit shqiptarë u transferuan në burgun e Burgu i Marassit, ku do të qëndrojnë në pritje të vendimeve të mëtejshme nga drejtësia italiane.